MENU
klinika

"Vendbanimi më i vjetër në Europë"

USA Today shkruan për Linin

21.08.2023 - 16:58

Zbulimi i vendbanimit 8 500-vjeçar nën ujërat e liqenit Ohër ka tërhequr vëmendjen e prestigjiozes amerikane “USA Today”, e cila cilëson që në titull se vendbanimi është më i vjetri që njihet në Europë.

Gjetet e arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë, të ndihmuar nga zhytës profesionistë, tregojnë se zona ka shërbyer si qendër ku zhvillohej bujqësia, zejtaria dhe peshkimi rreth 8 500 vite më parë, çka e bën vendbanimin më të vjetrin e zbuluar tani edhe në krahasim me vendbanime të ngjashme që janë gjetur në jug të Italisë dhe Europës, vijon USA Today.

Arkeologët që tashmë kanë katër vite që punojnë në sajt dhe ku kanë zbuluar, objekte, fara, bimë dhe kocka të kafshëve të egra dhe atyre shtëpiake, së fundmi janë përballur me një mister të ri që duhet ta zgjidhin.

Zbulimi i gardheve rrethuese që krijonin njëfarë mbrojtjeje sugjeron se vendbanimi ishte i fortifikuar, por arkeologët nuk janë të sigurt se për çfarë nevojiteshin këto gardhe.

Në fund të liqenit u gjetën rreth 100 mijë shtylla druri, një zbulim ky që studiuesit e cilësojnë thesar të vërtetë.

Megjithatë do të duhen rreth dy dekada të tjera që vendbanimi të eksplorohet dhe studiohet plotësisht dhe që të dilet në përfundime për të.