Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka folur lidhur me aksidentin ajror ku humbi jetën shefi i Wanger, Yevgeny Prigozhin.
Në një prononcim për mediet Zelensky tha se Ukraina nuk ka asnjë lidhje me rrëzimin e avionit dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se kush është i përfshirë, duke lënë të kuptohet që përgjegjësi për aksidentin ku humbi jetën shefi i Wanger është pikërisht presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
“Ne nuk jemi të përfshirë në këtë situatë, kjo është e sigurt. Unë mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm se kush është i përfshirë,” u tha Zelensky gazetarëve në Kiev.
Një avion u rrëzua ditën e djeshme në Moskë dhe në mesin e 10 pasagjerëve të cilët ndodheshin në bord ishte edhe Prigozhin.
Aksidenti ajror ndodhi në veri të Moskës në rajonin Tver dhe bëhet fjalë për një avion privat. Ditën e djeshme u bë me dije se banorët e këtij rajoni dëgjuan dy zhurma para përplasjes së avionit në tokë.