Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur ditën e sotme lidhur me zgjedhjet e reja në Bashkinë e Kukësit, të cilat priten të mbahen më 24 shtator.
Në fjalën e tij, Berisha nuk e konfirmoi kandidatin e 14 majit, Admir Sinamatin, por shtoi se do të diskutojë dhe do të ketë edhe mbështetjen e aleatëve. Gjithashtu, janë në diskutim edhe për procedurën të cilën do të ndjekin, a do të zgjidhet kandidati përmes “Primareve” apo jo.
“Me aleatët do jemë bashkë. Primaret? Do diskutohet sapo të vendoset do ju njoftoj,”- tha Berisha.
Pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili la mandatin pas një skandali seksual, zgjedhjet e reja në Kukës do mbahen në 24 shtator.
Safet Gjici u vu në pranga për “korrupsion pasiv”, pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet. Vetë 40-vjeçarja ka pranuar se donte nga Gjici tenderin e qenve, ndërsa ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur ligjin. Të dy kanë pretenduar se kishin një lidhje intime me njëri-tjetrin, përpara se të flisnin në zyrën e shtetit për tender e favorizime dhe pasi kishin kryer marrëdhënie seksuale.