Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore të vendit, popullata serbe që është shumicë në këto zona, ka kushte.
Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, thonë se duan që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj që policia të tërhiqet nga veriu, të lirohen të gjithë të burgosurit serbë, si dhe kryetarët shqiptarë të komunave të tërhiqen, në mënyrë që ata pastaj të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin nga Qeveria e Kosovës.
Svetomir Boshkoviç, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në veri është e nevojshme, por pasi të plotësohen të gjitha kushtet të cilat serbët ka kohë që po i kërkojnë.
Ai përmendi krijimin e Asociacionit, tërheqjen e të gjitha forcave policore nga veriu, si dhe lirimin e hapësirave komunale e arsimore, si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
‘Është e duhur që zgjedhjet të mbahen, të jenë legale dhe legjitime. Mirëpo ka kushte që së pari duhet plotësuar… Të tërhiqen të gjitha forcat policore, të lirohen hapësirat komunale dhe arsimore…Kusht është poashtu formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili është nënshkruar para njëmbëdhjetë vitesh…Parakushte janë këto, ky është kushti (për të nënshkruar peticionin)’, ka thënë Boshkoviç.
Edhe Lubomir Miljkoviç, e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje.
Ai veç tjerash, ka përmendur lirimin e të gjithë të burgosurve serbë, si kusht për të dalë në zgjedhje.
‘Zgjedhjet duhet të mbahen, por duhet të plotësohen kushtet, të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të lirohen të arrestuarit, do të thotë të plotësohen të gjitha kushtet… edhe kryetarët e rrejshëm që janë të cilët nuk përfaqësojnë shumicën, ata përfaqësojnë një pakicë… Sipas të gjitha gjasave popullata nuk do të dalë (për të nënshkruar peticionin) … derisa kushtet të mos plotësohen, dyshoj se do të bëhet diçka’, theksoi Miljkoviç.
Mileva Bashcareviç, po ashtu qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku dhe të kenë të drejta të barabarta.
Mirëpo shtoi se serbët kërkojnë disa kushte tashmë të njohura, pa plotësimin e të cilave ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.
‘Duhet të mbahen zgjedhjet, të formohen komunat me shumicë serbe dhe të jetojmë të gjithë së bashku dhe të kemi të drejta të barabarta… Edhe policët të jenë serbë e shqiptarë… Nuk do të dalin qytetarët në zgjedhje nëse nuk ka Asociacion të komunave me shumicë serbe’, tha ajo.
Në anën tjetër, Emir Azemi, njohës i zhvillimeve politike nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se për situatën në veri të vendit, duhet patjetër një marrëveshje politike mes palëve në proces, si dhe garanci e fortë nga ana e SHBA-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Ai preferon dorëheqjen e kryetarëve si opsion më të lehtë dhe më të mirë, për shkak se, siç u shpreh, procesi i zgjedhjeve përmes peticionit, është shumë i komplikuar dhe i pamundur.
Azemi ka potencuar se nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve nga ana e 20 përqind të votuesve, që nënkupton fazën e parë të procesit, është i mundur dhe mund të realizohet. Mirëpo, siç tha ai, procesi do të komplikohet gjatë fazës së dytë, e cila përfshinë daljen e 50 përqind plus një të votuesve.
Sipas tij, nëse në komunën e Mitrovicës Veriore janë 20 mijë votues në listën e votuesve, kjo nënkupton se duhet të dalin të nënshkruajnë 10 mijë plus një votues, gjë që është e pamundur.
Mitrovica e Veriut, shtoi ai, ka rreth 12 mijë banorë rezidentë, dhe nëse në fazën e dytë duhet të votojnë mbi 10 mijë qytetarë, atëherë do të jetë e pamundur ose do të duhej që një person të votojë shumë herë për të arritur pesëdhjetë plus njëshin dhe në këtë mënyrë do të lëndohej procesi zgjedhor.
‘Unë mendoj se për situatën në veriun e Kosovës duhet një marrëveshje politike mes palëve në proces, një granci e fortë e SHBA-së se ky proces zgjedhor nuk duhet të dështojë, nuk do të ketë ndërhyrje siç ka pasur në të kaluarën, dhe të ketë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, ku do të marrin pjesë Lista qytetare, subjekte politike, dhe të dalin struktura nga vullneti qytetarë dhe assesi nga presioni, as nga detyrimi që mund të vije nga jashtë ose nga brenda, dhe në një formë të përmbyllet ky proces i riintegrimit të komunave të Kosovës me shumicë serbe… Pra thënë ndryshe, mendoj se peticioni prej 20 për qind mund të jetë një proces ose vullnet politik për të dëshmuar se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje, por nëse shkohet në fazën e dytë që është pesëdhjetë plus një, mendoj se këtu do të ngecet, këtu do të dështojë procesi, sepse për mendimin tim është e paarritshme dhe e pamudur, siç shihet nga e kaluara që të dalin mbi 10 mijë qytetarë të votojnë në një proces zgjedhor… Është shumë e vështirë të arrihet që të votohet pesëdhjetë plus një, në një proces pas njëzetë përqindëshit që është paraparë me udhëzimin administrativ’, sqaroi Azemi.
Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji e tutje, ndërsa në këto zgjedhje do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve si votues, por edhe si kandidatë.