MENU
klinika

Analiza

A mund t’i kthejë Erdogan shpinën Putinit?

07.09.2023 - 20:04

Nëse do të kishte një bast se si do të vdiste Jevgeni Prigozhin, shumica e bastexhinjve do të kishin shpenzuar jo pak para në alternativa si rrëzimi aksidental nga dritarja apo konsumimi i një pijeje që do të rezultonte jo dhe aq e shëndetshme për të.

Në fakt, komandanti rus/lideri mercenar/ish-kuzhinieri presidencial, që në qershor udhëhoqi një përpjekje të dështuar për të rrëzuar nga pushteti disa prej zyrtarëve më të lartë ushtarakë të presidentit Vladimir Putin, hipi në bordin e një avioni që me sa duket dështoi të ishte në përputhje me standardet e sigurisë së aviacionit.

E kush e dinte atë që do të ndodhte? Sapo rrënojat e avionit ranë në tokë, të gjithë nxituan të pretendonin se autori i ngjarjes ishte Putin. Kryesisht sepse ndoshta ai ishte vërtet përgjegjës për rrëzimin e avionit. E dini se çfarë thonë ata? Nëse dikush duket si rosë, ecën si rosë, dhe bën kuak-kuak si një rosë, atëherë Putini ndoshta e vrau rosën, duke bërë disa deklarata të pafytyra të tupit: rosa e ndjerë bëri disa “gabime serioze”.

Rrëzimi i avionit bëri që shumë njerëz të kujtojnë një video të vitit 2018, ku Putin i deklaronte në një intervistë një gazetari se tradhtia është e vetmja gjë që ai nuk mund ta falë. Dhe tradhtia është termi që përdori për të përshkruar kryengritjen e Grupit Vagner 2 muaj më parë.

Rrëzimi i avionit shërben si një mësim shumë i vlefshëm për të gjithë ne, se edhe liderët autoritarë mund të jenë të ndjeshëm, dhe se nuk është gjithmonë një ide e mirë të luash me ndjenjat e tyre. Pra, tek e fundit Prigozhin nuk vdiq pa asnjë faj. Dhje kjo na sjell te presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, që është një “Pikaso” në artin e tradhtisë.

Që nga rizgjedhja e tij në detyrë në maj, disa nga veprimet e tij i nxitën analistët të pyesnin nëse ai po planifikon të braktisë lidhjet e tij të ngushta me Putinin, në favor të një rreshtimi më properëndimor. Profili i anëtarëve të kabinetit të tij të ri, si ai i Ministrit të Financave dhe guvernatorit të Bankës Qendrore, u interpretua si tregues i synimit të tij për të ringjallur lidhjet tradicionale atlantike të Turqisë.

Edhe pse një tjetër manovër për të tërhequr investime të huaja, do të ishte një shpjegim shumë më i besueshëm për këto lëvizje. Por ai nuk u ndal me kaq. Në korrik, Ankaraja i dorëzoi Kievit 5 ish-komandantë që mbrojtën vitin e kaluar Mariupolin, dhe që supozohej të qëndronin në Turqi sipas një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve.

Po ashtu, e zbuti qëndrimin ndaj hyrjes së Suedisë në NATO. Vetoja e Erdoganit kundër Stokholmit, ishte pa asnjë diskutim pjesë e strategjisë së tij për të mbajtur një linjë të hapur miqësie me Putinin, duke e sabotuar konsolidimin e mëtejshëm të Aleancës Atlantike përballë pushtimit rus të Ukrainës.

Ai nuk dukej i interesuar për ndonjë pazar të vërtetë diplomatik, pasi kushtet që parashtroi për heqjen e vetos përfshinin kërkesa juridikisht jorealiste, si ajo për ekstradimin e gazetarëve të mërguar që kanë kërkuar azil politik në vendin nordik.

Në një lëvizje me gjasë hakmarrëse, Rusia i dha fund marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Turqia që lejonte eksportin e sigurt të grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi, si dhe publikoi pamjet video të ngarkimit të drithit në anije mallrash të drejtuara nga Turqia në brigjet e Stambollit.

Pra, nga këtu ngrihet pyetja 1 milion dollarëshe: A është gati Erdogan të bëjë një nga kthesat e tij kundër Putinit? Përgjigja ime: Ndoshta jo.

Së pari, qasja e zbutur e Erdogan ndaj Suedisë, duket më pak si një zell i ri pro-atlantik, dhe më shumë si mënyra e tij e reagimit në kundërpërgjigje të zbulimit të një hetimi të përbashkët amerikano-suedez për korrupsionin ku implikohet edhe djali i tij.

Erdogan mund të mos flasë mirë anglisht (apo turqisht pa teleprompter), por ai ka një gjuhë që e kupton qartë cilido nga bashkëbiseduesit e tij. Ashtu si në kohën kur ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi se do ta rrënonte ekonominë turke, nëse Erdogan nuk do të sillej mirë.

Duke qenë vetë një shantazhues ekspert, Erdogan e kuptoi situatën dhe u tërhoq nga sfida pa marrë asgjë në këmbim. Ose më saktë mori një premtim qesharak e të kotë nga Suedia për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, që në këtë pikë është po aq i vdekur sa cilido nga njerëzit që ishin bordin e avionit të Prigozhin.

Së dyti dhe më e rëndësishmja, Erdogan dhe Putin janë tepër të lidhur me njëri-tjetrin për t’u larguar nga marrëdhënia e tyre. Ndërsa Ankaraja e ka furnizuar Kievin me dronë ushtarakë, ajo ka shmangur me këmbëngulje sanksionet ndërkombëtare ndaj Moskës, duke u shndërruar në një nga rrugët e pakta të Kremlinit për të shmangur masat ndëshkuese të Perëndimit.

Dhe për Turqinë, Rusia mbetet një furnizuese jetike me gaz me një çmim relativisht të përballueshëm, në një kohë kur ekonomia turke nuk po ecën mirë. Po ashtu, Moska është një partnere e domosdoshme në funksionimin e centralit të saj të parë dhe të vetëm bërthamor në Akuju.

Edhe në konfliktet ushtarake në vendet e treta, ku ato duken të pozicionuara në kampe të kundërta, si Siria, Libi dhe Kaukazin e Jugut, Turqia dhe Rusia shërbejnë për të justifikuar praninë ushtarake të njëra-tjetrës në skenë, si dhe për të nxitur pozicionin e njëra-tjetrës përballë klientëve të tyre përkatës vendas por edhe ndërmjetësimin e përbashkët e marrëveshjeve të paqes që janë në interesin e tyre.

Por dy liderët autokratë mbajnë në duart karta që mund të shndërrohen në armë të rrezikshme. Në Sirinë Veriore, dakordësia e Putinit për një sulm të ushtrisë siriane për të marrë nën kontroll enklavën e fundit të kontrolluar nga rebelët e Idlibit, është e vetmja pengesë gjë qëndron midis Turqisë dhe një fluksi tjetër masiv të emigrantëve (përfshirë shumë xhihadistë).

Dhe qeveria e Erdogan e ka tashmë gjithnjë e më vështirë të frenojë ndjenjën në rritje kundër emigrantëve në mesin e opinionit publik turk. Anasjelltas, respektimi me rreptësi nga Erdogan i një konvente ndërkombëtare të vitit 1936 që rregullon praninë e mjeteve detare në Detin e Zi, është e vetmja pengesë midis Rusisë dhe Detit të Zi të mbushur me luftanije amerikane dhe të tjera të NATO-s, një skenar makthi për Putinin.

Kur flitet mbi orientimin e politikës së jashtme, zyrtarët e qeverisë turke thonë shpesh se ajo nuk është një lojë me “shumën zero”, dhe se biznesi në rritje i Ankarasë me këtë apo atë rajon, nuk është një alternativë ndaj partneriteteve të saj tradicionale. Në këtë botë gjithnjë e më shumëpolare, kjo qasje është jo vetëm e mundur, por edhe e arsyeshmja dhe e qëndrueshmja.

Për më tepër, tani Erdogan ka një qasje të plotë te bashkëpunimin perëndimor falë pazareve të tij. Kështu, ai ka të garantuar një heshtje totale të evropianëve dhe amerikanëve përballë abuzimeve të brendshme dhe transnacionale me të drejtat e njeriut nga regjimi i tij.

Dhe po vazhdo të marrë miliarda euro nga Brukselit në këmbim të pengimit të emigrantëve për të kaluar në vendet e BE-së. Ai gëzon përfitimet e bashkimin doganor me BE-në, dhe arrin që t’i poshtërojë udhëheqësit perëndimorë, duke i etiketuar ata si “mbetje naziste”, dhe kërcënon t’i dëbojë ambasadorët e huaj, sa herë që dëshiron apo kur sheh se ka pësuar rënie në sondazhe.

Kostoja e vetme e afrimit të madh të Erdogan me Putinin, ka qenë humbja e qasjes tek avionët luftarakë të gjeneratës së re F-35, për shkak të blerjes së sistemit të mbrojtjes raketore ruse S-400, gjë që mund të ketë pasoja në konkurrencën e Turqisë me Greqinë për dominim ajror mbi Detin Egje.

Për të qenë të qartë, marrëdhënia e Erdoganit dhe Putinit është larg nga të qenit pa probleme. Kjo shihet edhe tek përkeqësimi i fundit i raporteve për shkak të Ukrainës. Por është fakt që ata do të humbasin shumë nëse vendosin të ndahen. Nëse lufta në Ukrainë nuk e polarizon botën deri në masën që ia bën të pamundur Erdoganit të vazhdojë të luajë lojën e tij të dyfishtë, arsyeja dikton që ata ta mbajnë “martesën” pa probleme, derisa vdekja t’i ndajë.

Turkish Minute

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kievi po ndërton një armë sekrete

“Erë lufte” në Detin e Zi, tmerrohet Moska

"Çdo manovër diplomatike që po bëhet për t’i mbyllur rrugën Turqisë..."

“Problemi” turk në Mesdhe (që çon veçse në luftë)