Artisti i talentuar Myftar Cubi çeli në Muzeun Historik Kombëtar, një ekspozitë në mozaik, të titulluar “Aktorët shqiptarë ndër vite”.
Ekspozita, në të cilën janë prezantuar 47 punime në mozaik me aktorët më të njohur shqiptarë, vjen pas një pune të madhe 1-vjeçare.
Myftar Cubi ka realizuar në mozaik portretet e aktorëve, në rolet me të cilat ata kanë mbetur në kujtesën e publikut si Marie Logorecin në rolin e Lokes, Timo Fllokon si Çerçiz Topulli, portretin e Dhaskal Todrit interpretuar nga Sandër Prosi, regjisorin e madh Piro Mani në rolin e Sali Protopapës, Vangjush Furxhi në rolin e Latif Borës, e shumë personazhe të tjera interpretuar nga aktorët tanë më të mirë si: Yllka Mujo, Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Petrit Llanaj, Kadri Roshi, Elvira Diamanti, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Eva Alikaj etj.
Mes aktorëve shqiptarë, në mozaik vjen edhe porteti i Uliksit të pavdekshëm të Bekim Fehmiut.
Sipas artistit, aktorët shqiptarë janë pasuri kombëtare dhe është i lumtur për realizimin e kësaj ekspozite. Për të gjithë dashamirësit e mozaikut ekspozita “Artistët shqiptarë ndër vite”, do tē qëndrojë e hapur deri në datën 25 shtator.