MENU
klinika

“Nuk e shpjegojmë dot…”!

Apartamente bosh që as shiten, as jepen me qira!

19.09.2023 - 12:22

“Me vendim të qeverisë për të ndryshuar çmimet e referencës së pronave, apartamentet në Tiranë do të kenë çmime më të larta se ato qe janë sot. Ndryshimi mund të ndikoj në tregun imobiliar, jo vetëm në vlerën e banesave, por dhe në rritjen e taksimin e pronave, përfshirë edhe ato te pabanuara.”

Për ekspertët, çmimet e reja referenciale rrisin kostot e ndërtuesve, të cilët e shkarkojnë atë te blerësi final.

“Çfarë ka ndodhur me çmimet e referencës është se u janë rritur kostot ndërtuesve, pra tani ata do paguajnë më shumë taksa dhe për rrjedhojë ata këto kosto do i ngarkojnë tek blerësi. Por ne jemi në një treg ku çmimet kanë vajtur shumë lart dhe nuk e dimë nëse tregu do të pranojë një tjetër rritje të çmimeve apo do filloj të ftohet”- tha Armando Shkëmbi, agjent imobilar.

Me një kërkesë që nuk di të ndalet, ndërtesa të reja shtohen vit pas viti, ndërkohë që ka ende shumë apartamente vakante, të cilat nuk përdoren, duke krijuar një çekuilibrim të tregut.

“Tregu ynë është në fakt i pashpjegueshëm. Realisht në Tiranë ka kërkesë por nga ana tjetër në Tiranë ne kemi një zhvillim të zhdrejtë: kemi shumë apartamente boshe. Janë rreth 40 apo 50 mijë apartamente boshë të cilat nuk dalin në treg as me qira as për shitje të cilat pastaj krijojnë këtë kërkesë të rritur”- theksoi ai.

Sipas ekspertit, taksimi i apartamenteve të pa shfrytëzuara do të sillte një rritje të sasisë së pronave të disponueshme në treg, dhe si rrjedhojë çmimet në treg do të harmonizoheshin, duke krijuar një ofertë pronash më të lira.

“Në këndvështrimin tim zgjidhja është taksimi. Në perëndim pronat taksohen me qëllim që ato mos të ngelen bosh. Në Shqipëri pavarësisht se ne ankohemi shumë për taksat, në fakt ato janë të ulta. Duke qenë se nuk taksohen ato rrinë aty në treg të bllokuara. Nëse ato do taksohen më shumë gradualisht dalin në treg, dhe ne do kishim qira më të ulëta sigurisht edhe çmime të shitjes më të ulëta”- shtoi mes të tjerash.

Çmimet tejet të larta por nga ana tjetër edhe kërkesa që vijon në rritje, eksperti pohon se ka një rritje të kërkesës edhe për motive investimi.

“Në Tiranë blejnë nga të gjitha anët. Blejnë emigrantët rreth 15% të apartamenteve të reja që ndërtohen. 35% janë të pronarëve të tokës dhe zakonisht ata nuk i shesin, kështu që në shitje dalin rreth 50% të apartamenteve të reja. Emigrantët, prindërit nga rrethet për fëmijët, ata që kanë ardhur në Tiranë profesionist të rinj por dhe investitorët për shtëpi që duan ti japin me qira. Janë ata që janë mësuar me Air B&B kanë parë përfitimet e kësaj qasje, marrin 2 3 4 shtëpi për ti dhënë me AirB&B”- përfundoi ai.

Por kur do të ndalë ky rreth vicioz? Eksperti thotë se tregu tashmë ka arritur kulmin e kapacitetit, dhe me këtë sasi të madhe pronash në treg, mund të presim vetëm një ulje graduale të çmimeve.

“Analizat tregojnë që i ka ardhur fundi rritjes së çmimeve. Çmimet janë stabilizuar. Pyetja është a do bien apo jo. Duke qenë se kemi shumë ndërtesa të reja në treg potencialisht mund të arrimë një ftohje të çmimeve se nga ana tjetër edhe kërkesa herët a vonë do të bie. Parashikimi im është deri në 6 muajt e ardhshëm a më shumë mund të ulen çmimet.”

Sipas vendimit të VKM-së për çmimet referenciale, për 32 zonat kadastrale të Tiranës, vlera referuese e taksueshme për metër katror janë rritur nga 5 e deri në 76%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndërtuesit kundër rritjes së çmimeve të referencës

“Apartamentet do të shtrenjtohen me 35%”

Më të larta se të ardhurat mujore

Çmimet e apartamenteve, dhimbje koke për familjet

Blejnë apartamente në resortet e famshme verore të vendit

Ballkanasit dhe ‘mania’ për apartamente në bregdetin shqiptar