Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar ndaj 2 rasteve të fundit të zbulimit të mbi 10 mijë bimëve kanabis të kultivuara në Velipojë si dhe kapjes së një ngarkese me hashash në Pikën e Kalimit Kufitar me Malin e Zi. Ai kërkoi hetim të thelluar dhe përballen me drejtësinë, për çdo person të implikuar.
“Nisur nga rastet e kapjes së lëndës narkotike në pikat e kalimit kufitar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë duhet të hetojnë plotësisht gjithë rrugëtimin që nga momenti i kultivimit apo hyrjes në territorin e vendit tonë, për të nxjerrë përgjegjësinë e atyre drejtorëve, shefave apo kontrollorëve policie që nuk e kanë bërë detyrën”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Ai thekson se operacionet e rëndësishme të kryera nga Policia në javët e fundit, nuk duhet të ndalin për asnjë moment dhe veç pezullimit të oficerëve të policisë, hetimet duhet të vijojnë më tej.
“E kam thënë që ditën e parë në detyrë se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka mundësi të vetme të korret, pa një shef që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur apo kontrolluar në një pikë kalimi kufitar.
Goditja e një rasti tjetër kultivimi të bimëve narkotike, në Velipojë, ku u asgjësuan mbi 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, nxorri në pah edhe përgjegjësinë apo mbylljen e syve të strukturave përkatëse të Policisë vendore.
Pezullimi i menjëhershëm i Shefit të Stacionit të Policisë së Shtetit Velipojë bashkë me tre oficerë të tjerë policie në këtë stacion, është vetëm hapi i parë ndërshkimor për mbylljen e syve apo ndoshta edhe përfshirjen e tyre në borderotë e grupeve kriminale që prisnin të korrnin ato 10 mijë bimë narkotike. Prandaj vetë-pastrimi i Policisë së Shtetit nga kushdo që tradhëton këtë luftë do të vazhdojë çdo ditë, pa kthim pas!”, nënvizon ministri i Brendshëm.