MENU
klinika

Si janë shpërndarë përkrahësit e tij në grupet parlamentare

Basha tërheq deputetët e dhënë “hua”, ndryshon përbërja e grupeve!

15.09.2023 - 10:01

Deputetja Flutura Açka do të jetë kryetare e Grupit Parlamentar të PD-së. Mësohet se kryedemokrati Lulzim Basha, në cilësinë edhe të kreut të Grupit Parlamentar, me statutin e ri, ia ka deleguar këtë detyrë Açkës, e cila është dhe nënkryetare.

Basha njoftoi Kuvendin se detyrën e kreut të Grupit Parlamentar ia ka deleguar nënkryetares së partisë, Flutura Açka. Në njoftimin e zotit Basha në emër të grupit, citohen nene të statutit të partisë dhe të rregullores së brendshme të Grupit Parlamentar, si dhe bëhet e ditur kryesia e grupit me deputetët Kreshnik Çollaku, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri. Ndërkohë, janë zbardhur edhe përbërja e grupit parlamentar, ku nënkryetar tjetër do të jetë dhe Kreshnik Çollaku. Ndërsa, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri do të kenë të njëjtin pozicion si më parë. Kujtojmë se detyra e kreut të Grupit të PDsë mbahej nga Gazment Bardhi.

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla njoftoi dje një lëvizje të deputetëve të opozitës nga Grupet Parlamentare.

Deputetja demokrate Merita Bakiu është larguar nga Grupi Parlamentar i Aleanca për Ndryshim ku ishte dhënë “hua” i drejtuar nga Fatmir Mediu. Merita Bakiu është përkrahëse e Lulzim Bashës dhe është pjesë e 10 deputetëve që i kanë dalë në krah, tashmë që Basha u rizgjodh në krye të PD-së dhe që me statut mori dhe postin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së. Sipas rregullores së Kuvendit, Merita Bakiu duhet të qëndrojë 6 muaj pa një grup parlamentar, për të patur më pas të drejtën për t’u futur në një të tillë.

Largimi i Merita Bakiu, është pasuar me një tjetër lëvizje, deputeti i pavarur Petrit Doda është bashkuar me grupin e Fatmir Mediut, ç’ka i mundëson që të këtë 7 deputetë për të patur në fuqi grupimin “Aleanca për Ndryshim”.

Por, ku janë tjetër përkrahësit e Bashës?

Dy deputetë të tjerë që kanë dalë hapur krahë Bashës, duke u distancuar nga aksioni politik i Sali Berishës dhe Gazment Bardhit janë Andia Ulliri dhe Seladin Jakupllari. Këta të fundit nuk janë pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së, por janë dhënë ua në grupin “Demokraci dhe Integrim” i drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Nuk dihet ende nëse Basha do i tërheqë dhe dy deputetët pjesë e grupit të Shpëtim Idrizit, i cili nuk është bërë pjesë e tryezës së 43 deputetëve të cilët janë bashkuar me Berishën dhe Bardhin.

Në letrën drejtuar Kuvendit, Basha shprehet se në mungesë të tij, Grupin e PD-së do e drejtojë nënkryetarja Flutura Açka.

‘Ka njoftim për ndryshimin e kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së. Me propozim të kryetarit të Partisë vendosi përbërja e kryesisë së Grupit Parlamentar të PD është Flutura Açka, nënkryetar e autorizuar për përfaqësimin e grupit parlamentar në mungesë të kryetarit të grupit, Kreshnik Çollaku nënkryetar, Arbi Agalliu sekretar, Oriola Pampuri zëdhënëse. Ky vendim i komunikohet Kuvendit, firmosur nga kryetari i grupit Lulzim Basha, lexoi kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Pas kontestimit të Gazment Bardhit, kryetarja e Kuvendit u shpreh: “Është situatë konfuze brenda jush, ju kam thënë. Garda ju lutem s’ka nevojë, ju lutem lëvizni. Garda dëgjoni, apo… Jeni konfuzë një situatë e paprecedentë, nuk e zgjedh unë kryetarin e grupit, Nuk thotë se kush e njofton kryetaren e Kuvendit. Ju kam bërë me dije dhe i qëndroj vendimit, kam kërkuar këshillencë dhe jam në proces”.

“E para nuk i drejtohesh dot askujt përveçse grupit parlamentar të PD, ajo që bëtë të bëtë është shkelje flagrante e rregullores”, iu drejtua Gazment Bardhi.

Zoti Basha ka ardhur me këto vendime të reja pak ditë pasi u rizgjodh kryetar nga Kuvendi i Partisë, ku edhe u zgjodhën forumet e reja drejtuese të partisë, ndonëse përkrah tij janë një grup prej 10 deputetësh.

Ai theksoi si përparësi të Partisë Demokratike euro-atlantizmin, ndarjen nga berishizmi dhe mbështetjen e SPAKut në luftën kundër korrupsionit, duke i quajtur si bunkeri anti-amerikan të gjithë ata që ndjekin ish kryeministrin Berisha. Ndarjet dhe përplasje mes grupeve sa vijnë e thellohen më tej në radhët e Partisë Demokratike prej dy vjetësh, pas shpalljes së ish kryeministrit Sali Berisha non grata nga SHBA-të për korrupsion dhe cënim të demokracisë.

Gazmend Bardhi organizoi disa ditë më parë një mbledhje të 40 deputetëve, që përkrahin atë si kryetar grupi parlamentar, si dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha. Të dy grupet u takuan pas dy vjet akuzash të ashpra ndaj njëri tjetrit mbi përgjegjësitë e përçarjes së opozitës. Ata theksuan se sot po unifikonin kështu aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së kryeministrit Rama.

Vëzhguesit vendas i referohen Partisë Demokratike nën drejtimin e zotit Basha si partia zyrtare, e cila megjithë numrat e pakët në Kuvend, po përpiqet të rindërtohet në bazë dhe në forume pas përçarjeve, që u shkaktuan nga lëvizja e Foltores e ish-Kryeministrit Berisha, dhe nga sulmi i dhunshëm kundër selisë së saj,

PËRBËRJA E RE E GRUPIT TË PD

Lulzim Basha – Kryetar
Flutura Açka – Nënkryetare, e autorizuar për përfaqësimin
e Grupit Parlamentar në mungesë të kryetarit të Grupit.
Kreshnik Çollaku – Nënkryetar
Arbi Agalliu – Sekretar
Oriola Pampuri – Zëdhënëse
DEPUTETËT QË MBËSHTETIN LULZIM BASHËN
Eneklejd Alibeaj
Oriola Pampuri
Flutura Açka
Eranda Tase Bano
Kreshnik Collaku
Oriela Nebija
Arbi Agalliu
Merita Bakiu (Iku nga grupi i Mediut)
Seladin Jakupllari (Pjesë e grupit të Shpëtim Idrizit)
Andia Ulliri (Pjesë e grupit të Shpëtim Idrizit)