MENU
klinika

"U largua pasi mësoi se në çfarë cilësie ishte pjesë e mbledhjes"

Braktisja e Konferencës së Kryetarëve nga Açka, Bardhi tregon prapaskenat

20.09.2023 - 17:12

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku dhe ka sqaruar dhe arsyen se përse u largua nga mbledhja kolegia e tij Flutura Açka.

Ai tha se deputetja Flutura Açka iku pasi mësoi se në çfarë cilësie ishte. Sipas tij asaj ju komunikua se nuk ishte në komision si kryetare e grupit parlamentar të PD-së, për këtë arsye ajo braktisi mbledhjen.

Bardhi tha se 28 deputetë demokratë i kanë dërguar një letër kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ku e kanë informuar se kryetari i grupit të tyre parlamentar është Gazment Bardhi.

“Mes meje dhe Açkës nuk ka ndodhur asgjë. Ajo drejtoi një pyetje drejtuese së mbledhjes se në çfarë cilësie ishte në konferencën e kryetarëve dhe mori përgjigjen se ishte në cilësinë e kryetares së komisionit të arsimit. Në atë moment bëri një deklaratë politike dhe u largua nga mbledhja”, tha ai.