Gjykata e Tiranës ka lënë sërish në burg Dritan Goxhajn, ish-luftëtarin e UÇK-së të arrestuar në Tiranë për llogari të Gjykatës Speciale.
Avokati i tij Bashkim Nikolla kërkoi lirimin e menjëhershëm të Goxhajt për shkak se sipas tij ka kaluar afati 40-ditor.
Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën duke arsyetuar se është e pambështetur në ligj e në prova. Ndërkohë avokati pretendon se nuk ka ardhur kërkesa për ekstradim nga shteti kërkues. “Me sa duket drejtësia jonë nuk e ka vrarë ende frika”, deklaroi avokati Nikolla. “Nuk ka një kërkesë në reciprocitet që të ketë ardhur që të thotë kërkesë për ekstradim”, shtoi ai.
“Kërkesa jonë për ndërrimin e gjyqtares është hedhur poshtë si e pabazë”, informoi avokati.
Vetë Goxhaj ka folur në seancës, sipas avokatit. “E gjitha kjo e ka emrin pengmarrje, jo ekstradim, ka deklaruar Goxhaj në seancë”, citoi Nkolla.
Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.