MENU
klinika

"SPAK të veprojë urgjent"

Ish-agjenti i FBI-së pranoi fajësinë, Bardhi: Krimi është njësoj si në SHBA si në Shqipëri

23.09.2023 - 14:43

Deputeti i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas gjyqit në SHBA të McGonigal ku në dosje përmendet 11 herë emri i kryeministrit Edi Rama.

Ju rikujtojmë se ish agjenti i FBI-së, Charles McGonigal pranoi të gjitha akuzat për lidhjet me Shqipërinë.

Bardhi thotë se SPAK duhet të veprojë urgjent ndaj dosjes që përmend edhe kryeministrin Rama sepse krimi është njësoj si në SHBA si në Shqipëri.

“Veprat janë ato që mbeten!

Në 24 Janar 2023 kam kallëzuar në SPAK Edi Ramën mbi dosjen amerikane të ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Ai i ka shërbyer Edi Ramës për interesat e tij politikë dhe, si shpërblim, është paguar prej Edi Ramës me para të zeza.

Pranimi i fajësisë nga McGonigal, duke shpjeguar se marrëdhënien me Edi Ramën e krijoi për efekt të biznesit, bëjnë urgjente një përgjigje edhe nga drejtësia shqiptare.

Drejtësia amerikane ka provuar dhe ish zyrtari i FBI-së ka pranuar se në takimin me Edi Ramën në Shtator 2017, ai kishte shfaqur interes për një koncesion shumë të madh në fushën e naftës, me lidhje indirekt me gjigandin rus të naftës GAZPROM.

6 muaj pas këtij takimi, në Mars 2018, Ministria e Energjisë shpalli fitues për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG, të lidhur me miqtë e McGonigal.

Gjykatat shqiptare kanë konstatuar se përzgjedhja e kompanisë në koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tender.

SPAK ka detyrimin që të informojë opinionin publik mbi fazën ku ndodhet hetimi mbi këtë cështje. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë, nëse SPAK-u i ka kërkuar apo jo drejtësisë amerikane të dhënat e dosjes, si dhe t’i përgjigjet pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit.

Shkëmbimi i ndërsjelltë i favoreve midis Edi Ramës dhe McGonigal është njësoj krim si në SHBA, edhe në Shqipëri. SPAK duhet të na provojë se askush nuk është mbi ligjin! Askush! Përfshirë Edi Ramën!”, shkruan Gazment Bardhi.

McGonigal ka pranuar se ka marrë 225 mijë dollarë nga ish-agjenti i shërbimit sekret shqiptar, Agron Nezaj për të lobuar kundër kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe se ka takuar shefin e qeverisë shqiptare, Edi Ramën.

Ish-agjenti doli dje para gjykatës, duke u deklaruar fajtor, në këmbim të një dënimi më të ulët. Në marrëveshjen që është arrirë McGonigal i ka treguar të gjitha, që nga vizitat në Tiranë, takimet, bisedat e fshehta, etj. Në dosjen e bërë tashmë, publike emri i kreut të qeverisë përmendet 11 herë. Në një pjesë të saj, nënvizohet se McGonigal ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë, Kosovë dhe Bosnjë, shpenzime që duket se janë mbuluar nga një shqiptar, ndërsa takimet me Ramën duket se janë organizuar nga një shqiptar tjetër, i cili përshkruhet si “këshilltar joformal” i Ramës.