MENU
klinika

“Le të bëhen shqiptarët njëherë bashkë...”

Kreu i “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj mesazh qytetarëve: Mos më lini vetëm

24.09.2023 - 11:57

Lëvizja “Shqipëria bëhet” ka nisur takimet e saj me qytetarët nga Rrësheni. Drejtuesi i saj, Adriatik Lapaj në mesazhin drejtuar mbështetësve u kërkoi atyre që të mos e lënë vetëm, pasi tashmë përgjegjësia bie edhe mbi ta.

Në fjalën e tij, Adriatik Lapaj u shpreh se do të krijojnë aleancën e të mirëve, pasi siç theksoi ai nuk janë në garë për poste, por për parime.

Le të bëhen njëherë shqiptarët bashkë, tha Lapaj, për të shembur sistemin e antimeritokracisë dhe për të kërkuar demokratizimin e vendit.

“Ju kërkoj kur të ikni nga ky shesh të flisni me fëmijët tuaj, të flisni me prindërit tuaj, me të afërmit tuaj, të flisni me këdo që njihni, ta shpërndani mesazhin. Le të shtohemi njëri pas tjetrit, le të krijojmë aleancën e të mirëve sepse nuk jemi këtu për të garuar për poste, por për parime. Le të bëhen njëherë shqiptarët bashkë për të shembur sistemin e antimeritokracisë dhe për të kërkuar demokratizimin e vendit.

Nga sot jeni misionarë të këtij rrugëtimi, i cili më besoni nuk është i lehtë për asnjë nga ne. Është sakrificë, është me shpirt ndër dhëmbë, është duke sakrifikuar shumë sepse jemi përballë atyre që janë me mjete të pabarabarta me ne, me fuqi të pakrahasueshme ekonomike, me infrastrukturë të pakrahasueshme logjistike, ky është një grup njerëzish që duhet tja ndjejë për çdo fëmijë të këtij vendi, për çdo nene që i ka ikur fëmija, për çdo të ri.

Unë kam detyre, në kemi detyrë të mos e lëmë këtë rrugë, por përgjegjësia bie mbi ju. Mos na lini vetëm, ju lutem mos na lini vetëm”, tha drejtuesi i nismës “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili njoftoi se takimi i radhës do të jetë më 30 shtator në Pogradec.