Kryeministrja Giorgia Meloni ka thënë se ajo priti “me interes të madh” propozimin e bërë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një interviste televizive për të punuar së bashku për të luftuar migrimin e parregullt në Evropë.
“Unë mirëpres me shumë interes propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të punuar së bashku për të luftuar imigracionin e paligjshëm”, tha Meloni në një deklaratë.
“Është e qartë se Italia, Franca dhe BE-ja duhet të veprojnë së bashku për të mbështetur shtetet e origjinës së emigrantëve dhe për të ndihmuar shtetet tranzit të çmontojnë rrjetet kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore,” vazhdoi ajo.
“Ky është drejtimi që qeveria italiane ka marrë tashmë dhe që dëshiron ta ndjekë së bashku me institucionet europiane dhe aleatët e saj europianë”, përfundoi Meloni.
Deklarata erdhi pasi Macron tha në një intervistë televizive se “nuk mund t’i lëmë italianët vetëm”.”Shumica e emigrantëve” që mbërrijnë nga deti në Lampedusa “vijnë nga Afrika Sub-Sahariane, nga vendet të cilave u ofrojmë ndihmë zhvillimi”, tha Macron.
“Dua të punoj me kryeministren italiane, sepse ajo ka bërë një zgjedhje të fortë, që nuk është ajo e bërë disa muaj më parë dhe e ndjekur nga Italia”, tha Macron. “Unë shoh që ka nga ata që japin përgjigje të thjeshta dhe nacionaliste”, vazhdoi ai.
“Aty ku ishte një Itali që thoshte ‘të mos marrim më anije’, ‘le t’i dërgojmë diku tjetër’, Italia tani merr përgjegjësinë e saj për të qenë ajo që ne e quajmë porti i parë i sigurisë”, shtoi Macron. Qeveria italiane ka insistuar në nevojën për një përgjigje kolektive evropiane megjithatë jo të gjitha vendet europiane janë në një mendje.