Ish-presidenti italian Giorgio Napolitano është ndarë sot nga jeta në moshën 98 vjeçare. Ai do mbahet mend si një nga figurat më të dashura në politikën italiane, pasi përveç dy mandateve si president, ju kërkua të rrinte dhe për një tjetër mandat.
Po ashtu ai ka qenë mik i shqiptarëve. Në vitin 2014 ai zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku u vlerësua me Dekoratën e Flamurit nga homologu i asaj kohe, Bujar Nishani.
“Procesi i mëtejshëm i zgjerimit një synim ambicioz, aspirata e Shqipërisë dhe vendeve të tjera përfaqëson një sinjal të fortë besimi në kohë të vështirë. Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta çelë presidencën me Shqipërinë e aderuar me të drejta të plota. Duhet të jetë e qartë për të gjithë që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin. Nëse Evropa ka përfaqësuar shumë për Shqipërinë, Shqipëria nga ana e saj ka treguar haptazi se ka bërë dhe mund të bëjë shumë për Evropën”, u shpreh presidenti Napolitano në atë kohë gjatë një fjalimi në Parlamentin shqiptar.
Por kush është Giorgio Napolitano? Ai lindi në Napoli më 29 Qershor, 1925. Ai është i martuar me Clio Bittoni dhe ka dy djem, Giovanni dhe Giulio.
Napolitano është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Napolit në 1947. Që prej 1942, kur ai ishte student, Napolitano ju bashkua një grupi anti-fashist dhe në 1945 ai u fut ne Partinë Komuniste Italiane ku më pas u bë dhe drejtues post të cilin e mbajti deri në krijimin e Partisë Demokratike të së Majtës Italiane.
Napolitano u zgjodh në dhomën e deputetëve për herë të parë në 1953 dhe përveç Legjislaturës së katërt, ai ka qënë i pranishëm në parliament si deputet deri në 1996, gjithmonë i zgjedhur në zonën e Napolit.
Si deputet, aktiviteti i tij parliamentar filloi si anëtar i Komisionit Parlamentar për buxhetin. Në legjislaturën e tetë dhe të nëntë prej 1981 deri në 1986, Napolitano drejtoi grupin parlamentar të komunistëve në dhomën e deputetëve.
Gjatë viteve 80, si anëtar i Komisionit për çështjet e punëve të jashtme, aktiviteti i tij u fokusua kryesisht mbi çështjet ndërkombëtare dhe politikat Europiane. Në 1989 ai zgjidhet anëtar i Parlamentit Europian, post të cilin e mbajti deri në 1992. Po atë vit, Napolitano zgjidhet Kryetar i Dhomës së Deputetëve post të cilin e mbajti deri në 1994. Prej 1996 deri në 1998, Napolitano mban postin e Ministrit të brendshëm në qeverinë e Romano Prodit.
Prej qershorit 1999 deri në 2004 ai drejtoi Komisionin e Çështjeve Konstitucionale në Parliamentin Europian. Në 2005, Napolitano zgjidhet Senator i përjetshëm.
Në Maj të 2006, Girgio Napolitano zgjidhet President i Italisë me 543 vota. Në Prill të 2013, Napolitano rizgjidhet President me 738 vota.