Tre muajt e fundit më shumë se 500 profesionistë të sektorit të shëndetësisë kanë deklaruar se janë të gatshëm të largohen nga Italia, vetëm ose me familjet e tyre, për të punuar në vendet arabe.
Ky trend ka kohë që ka nisur, por ka regjistruar një rritje prej 40% të kërkesave brenda 90 ditësh, ndoshta duke u ndikuar dhe nga tërheqja e Lindjes së Mesme të yjeve të futbollit botëror si Ronaldo, Neymar apo ish-trajnerit të kombëtares italiane, Roberto Mancini.
E sigurtë është se pagat arrijnë deri në 20 mijë dollarë në muaj plus dhe bonuset, një ofertë shumë joshëse në krahasim me atë që jep për monentin sistemi italian i shëndetësisë. Këto shifra kanë një peshë të rëndësishme në vendimin e mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, të cilët kanë zëvendësuar vende të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ato të Lindjes së Mesme.
Nga ana tjetër është dhe rritja e nevojës për mjekime e vendeve të Gjirit, ku popullsia shënon rritje dhe po përjetohet një proces fiziologjik i plakjes dhe mbi të gjitha është vendosur që të investohet rreth 10% e PBB-së në shëndetësi. Aktualisht, në Arabinë Saudite 90% e personelit shëndetësor janë me origjinë të huaj, në një kohë që Italia ka hapur dyert për profesionistë shëndetësorë nga Kuba.
Sipas të dhënave të Shoqatës së mjekëve me origjinë të huaj në Itali dhe Unionit mjekësor euro-mesdhetar, nga 450 profesionistë të shëndetësisë italianë dhe 50 europianë rezidentë në Itali që tremujorin e fundit kanë nisur të programojnë një punë në vendet e Gjirit, 250 janë mjekë specialistë, 150 janë infermierë dhe 100 janë mjekë të përgjithshëm, fizioterapistë, farmacistë dhe dietologë.
Parashikohet që deri në vitin 2030, Arabia Saudite do të ketë nevojë për 44 mijë mjekë dhe 88 mijë infermierë. Një injeksion masiv që do të shërbejë për të frenuar pjesërisht eksodin e 30 mijë pacientëve që po trajtohen jashtë vendit nga vendet e Gjirit në SHBA dhe Angli, Gjermani dhe Francë, me një shpenzim total prej mbi 20 miliardë dollarësh.
Specializimet më të kërkuara janë dermatologji, kirurgji e përgjithshme, mjekësi estetike, ortopedi, gastroenterologji, gjinekologji, pediatri, oftalmologji, urgjencë, kirurgji plastike, otorinolaringologji, stomatologji.
Më pas, infermierë, fizioterapistë, farmacistë dhe dietologë të specializuar. Tarifat përfshijnë shërbimet dhe strehimin, regjistrimin në shkollë për fëmijët dhe lehtësimin e taksave: për mjekët ato variojnë nga 14 mijë deri në 20 mijë dollarë në muaj dhe për infermierët nga 3 mijë deri në 6 mijë dollarë.
Në Arabinë Saudite mjekët më të paguar janë neurokirurgët, neurologët, ortopedët, mjekët e urgjencës, kirurgët plastikë, gjinekologët dhe pediatër. Gjithmonë ata me pasaportë të Bashkimit Europian.