MENU
klinika

“Po” mes Alpeve

Një martesë në Theth

01.09.2023 - 14:23

Natyra që të ofron Thethi e solli Robin dhe Aurorën në Shqipëri. Jo për turizëm, por të kurorëzuar dashurinë e tyre midis Alpeve shqiptare.

“Po mendonim me Aurorën një vend special dhe donim me patjetër që të ishte në natyrë. Gjithashtu, donim një vend që të kishim edhe tërheqje. Dy vite më parë ishim në Theth dhe bëmë udhëtimin për në Valbonë. Qëndruam tre net në Theth. Për mua ishte hera e parë në Theth dhe në Shqipëri dhe u ndjeva shumë mirë me vendin dhe me banorët. Prandaj vendosëm ta bënim këtu. Jam shumë i lumtur”, thotë Robin Wilham.

Thethi ishte një rastësi e bukur për gjermanin, por jo për Aurorën. Ajo ka lindur në Kosovë, por është larguar që në kohën e luftës në Gjermani. Ndaj, për ta nuk ka qenë aspak e vështire të vendosnin ku do i thoshin po njëri-tjetrit.

“Kemi ardhur në Theth dhe menjëherë kam rënë në dashuri me këtë vend të bukur të mahnitshëm. Kur vendosëm të martoheshim kemi bërë zgjidhjen për ta bërë dasmën ose në Kosovë ose në Shqipëri dhe menjëherë të dyve na shkoi Thethi në mendje”, tregon Aurora Kastrati.

Ndonëse një çift modern, dasma e tyre është menduar të jetë tradicionale, ku nuk ka se si të mos mungojnë gatimet e zonës.

Një dasmë e menduar deri në detaje…Aurora e veshur me xhubletën tradicionale dhe Robin me veshjen e burrave të Malësisë ndërthuren më së miri me ansamblin e valleve.

Megjithatë, miqtë dhe familjarët ishin skeptikë për këtë vendim të tyre. Largësia nga vendi ku ata jetojnë u kthye në problem, por Thethi ja doli të bëjë magjinë e tij.

“Më thanë që është shumë larg dhe pse nuk ke menduar ta bësh në Gjermani apo pse jo në Spanjë apo diku tjetër, por menjëherë sa i tregova fotografitë e kuptuan pse doja këtu. Gjeta këtë parajsë të vogël këtu dhe tani ata mendojnë se bëra një zgjedhje të shkëlqyer”, tregon Robin.

Mes bukurisë së natyrës dhe perëndimit magjepsës, ëndrra e tyre u kurorëzua duke celebruar martesën në Thethin e “zanave të malit”.