MENU
klinika

Ç’ndodhi në biznes dhe përplasja me recepsionisten

Tentoi të vriste me armë pronarin e hotelit, Apeli liron nga qelia reperin e “Hellbanianz”

22.09.2023 - 14:54

Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia reperin Ervin Selita, i cili tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli në Tiranë më 2 shkurt 2022.

Ky i fundit u dënua në Gjykata e Tiranës me 5 vite burg për akuzat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Por ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul me 1/3, duke u dënuar përfundimisht me 3.4 vite burg.

Por Ervin Selita apeloi vendimin duke kërkuar “pezullimin e ekzekutimit të dënimit, për pjesën e mbetur prej 1 vit e 9 muaj (21 muaj) burgim për të pandehurin E.S, sipas dispozitave të nenit 59 të K. Penal, si dhe urdhërimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale”.

Ndërsa Gjykata e Apelit vendosi: “Pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurit E. S., në provë për një periudhë prej 3 (tre) vjet. Urdhërohet i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës.”

Njoftimi i Gjykatës:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 02.02.2022 rreth orës 02:00 nga salla operative Tiranë është marrë njoftim se në lagjen e quajtur “Vilat Gjermane”, në fillim të rrugës “Tre Vëllezërit Kondi”, Tiranë kishte një konflikt mes disa shtetasve, konflikt i shoqëruar edhe me përdorimin e armëve të zjarrit.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.S, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 274 të Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 302, datë 08.02.2023 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.A.S. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i K. Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E. A. S. për kryerjen e veprës penale “Prishja e qetësisë publike” të parashikuar nga neni 274/1 i K.Penal, dhe, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, e dënon të pandehurin E. A. S. me një dënim të vetëm prej 5 (pesë) vite burgim.

Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit E. A. S. i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.

Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin E. A. S. fillon nga dita e arrestit, më datë 05.02.2022 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, prova materiale sekuestruar sipas procesverbalit datë 02.02.2022 për efekt të procedimit penal Nr. 919 të vitit 2022, të asgjësohen.

Shpenzimet proçeduriale hetimore dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 (pesëmdhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Çështja në apel u shqyrtua vetëm mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri E.S., që kërkoi:

Ndryshimin e vendimti Nr. 302, datë 08.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në paragrafin 5 të dispozitivit të vendimit dhe konkretisht:

pezullimin e ekzekutimit të dënimit, për pjesën e mbetur prej 1 vit e 9 muaj (21 muaj) burgim për të pandehurin E.S, sipas dispozitave të nenit 59 të K. Penal, si dhe urdhërimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Në përfundim të gjykimit, më datë 17.07.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Dritan Hasani dhe anëtar Znj. Emona Muçi dhe Z. Genti Shala, vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit Nr. 302, datë 08.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me këtë ndryshim;

-Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurit E. S., në provë për një periudhë prej 3 (tre) vjet;

-Urdhërohet i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

-Urdhërohet lirimi i menjëhershem i të pandehurit E. S., nëse nuk mbahet për shkaqe të tjera të ligjshme.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

Çfarë ndodhi në hotelin në Tiranë

Të armatosur, nën efekte alkooli, më 2 shkurt 2022, Ervin Selita është ndarë me dy djemtë e “Hellbanianz” dhe bashkë me të dashurën i është drejtuar hotelit në pronësi të shtetasit Z. Xhindi.

Dy shoqëruesit, njëri prej të cilëve është edhe anëtar i njohur i bandës muzikore që ka “pushtuar” Londrën, kanë qëndruar në lokal, ndërsa Ervin Selita, i njohur me emrin e artit ‘Vinz’, është përplasur keq në holl të hotelit me punonjësen e sportelit, e cila i ka kërkuar shoqërueses së Vinz një kartë identiteti për ta regjistruar.

Ky fakt është bërë shkak që mes saj dhe këngëtarit të nisë përplasja verbale. Pas pak në holl ka mbërritur edhe i zoti i hotelit dhe më pas konflikti ka marrë përmasa të tjera.

Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se Ervin Selita, pas përplasjes që ka pasur me pronarin e hotelit, ka thirrur në telefon dy miqtë e tij.

Ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në anën e jashtme të hotelit, ku duket se nuk ka pasur qëllim të dëmtonte kënd, po më shumë të trembte personat që e kishin penguar të hynte në hotel. Ose kështu pretendon Policia.

Ndërkohë që pronari dhe sportelistja kanë mundur të futen brenda ambienteve të hotelit, aty kanë mbërritur miqtë e tij, të cilët kanë marrë armën dhe janë zhdukur në drejtim të paditur.

Polica bëri me dije se i ka shpallur në kërkim dy të rinjtë, ndërsa ende nuk kuptohet se përse ata kanë marrë armën e krimit dhe janë larguar. I zoti i hotelit ka lajmëruar Policinë, duke denoncuar ngjarjen.

Autori dhe e dashura e tij janë vënë në pranga, ndërkohë Policia ka nisur edhe marrjen në pyetje.

Autori e ka mohuar faktin që ka dashur t‘i bëjë keq ndokujt, por ai ka dëshmuar se ishte ndjerë keq kur në hotelin ku ai ishte klient i rregullt, nuk ishte trajtuar siç e meritonte. Ai i ka thënë Policisë se ka qenë nën efektet e alkoolit dhe se nuk e ka kuptuar se çfarë po i kërkonin të dashurës së tij.

HETIMET

Ndaj Ervin Selitës u ngritën akuzat “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Por Gjykata e dënoi me 3.4 vite burg për akuzat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike