Aleksandër Vuçiç ka reaguar lidhur me një deklaratë të bërë së fundmi nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili paralajmëroi se presidenti serb mund të arrestohet nëse hyn pa leje në Kosovë. Vuçiç nga Nju Jorku i është përgjigjur po me paralajmërim Sveçlës duke thënë: “Në fund do të shohim kush kë do ta arrestojë”.
Pas takimit të fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, Vuçiç paralajmëroi mundësinë që ta vizitojë Graçanicën, por, siç tha vetë, nëse i lejohet hyrja.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është çështje vendimmarrëse e kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiçit, por për “pa leje”, ai tha se dihet cilat institucione merren me të, duke shtuar se ai do të arrestohej pa asnjë dyshim.