Prej katër ditësh, zjarri në Pishporo të Fierit vijon të jetë i ndezur dhe i përmasave të mëdha duke djegur kështu rrethh 500 hektarë pyll me pisha në zonën e mbrojtur.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka folur për vështirësitë që kanë hasur në terrenin e vështirë të zjarrit në pyllin Pishporo të Fierit. Çako tha se ndërhyrja nga ajri nuk mundet pasi helikopteri i Forcave të Armatosura ka defekt teknik dhe po riparohet.
“Është masiv i jashtëzakonshëm i dendur pyjor. Ka disa ditë, me të gjitha strukturat operacionale është operuar dhe vijon të operohetr Zjarret masive në pyje të tilla, kanë vështirësitë e veta. Sa i përket operimit, ne kemi vlerësuar situatën por për shkak të kohës në operim të helikopterit. Ne jemi duke vlerësuar situatën nëse do adresojmë pjesë të tjera për mbështetje. Sot po operojmë me mjete të tjera, buldozier etj. Ajo që është më e rëndësishmja është ta përkufizojmë zjarrin në aspektin e rrëfimit për t’i bërë. Ajo që vlen të theksohet është se pas punës së jashtëzakonshme që kemi bërë kanë mundësuar gjatë mbrëmjes së djehsme që këtë perimetër zjarri ta mbajmë larg zonave të banuara.”– tha ai.
Mësohet se zjarrfikësit janë tërhequr në pamundësi operimi për shkak të erërave të forta që favorizojnë hapjen me shpejtësi të flakëve. Sipas prefekti të qarkut Fier Lefter Shehaj, disa forca të ushtrisë dhe zjarrfikës janë vendosur afër fshatit për të patur në kontroll banesat dhe arat me të mbjella.
“Situata aktualisht kemi vatra zjarri në zonën pyjore të Pish Poros. Një situatë që ka rreth pesë ditë të cilën po e ndjekim dhe kemi aktivizuar mjetet zjarrëfikëse, trupa efektive dhe forcat e armatosura, punonjës të bashkisë Fier si dhe nga administrata e Zonave të Mbrojtura. Siç e shikoni bëhet fjalë për një vatër zjarri të ekzagjeruar në një sipërfaqe pyjore të dendur në një pyll të shkallëzuar që ka bimësi edhe nga poshtë si shkurre edhe bimësi të lartë e cila e ka bërë të pamundur në shumë momente, sidomos gjatë mesditës operimin qoftë me forca zjarrfikëse ashtu dhe me forcat e armatosura për shuarjen e zjarrit. Zjarri ishte në kurorë në lartësi 15-20 metra duke vështirësuar punën e strukturave që operojnë në terren.
Gjithmonë kemi operuar me forcat zjarrfikëse dhe trupat e forcave të armatosura në orët e para të ditës si dhe në pasditen vonë pasi gjatë mesditës është pothuajse e pamundur sepse temperaturat arrijnë deri në 1000 gradë dhe përpara se të vinte zjarri, vinte vala e të nxehtit, në fillim bëhej tharja e tyre e më pas djegia.
Banesat, banorët, njësitë, stanet kanë qenë prioriteti i punë sonë mbrojtëse, fokusi ka qenë për të siguruar të mos preken këto sipërfaqe. Gjatë gjithë kohës edhe natën kemi patur mjete zjarrfikës të vendosura në perimetrin që kufizon sipërfaqen pyjore me banesat apo sipërfaqet ekonomike. Edhe në vijim nuk do ketë rrezik”, u shpreh prefekti i qarkut Fier Lefter Shehaj.