Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha u larguan nga salla e gjyqit të martën pasi u rrëzua kërkesa e tyre për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e vendosjes së masës së sigurisë pa vendimin e Kuvendit. Gjykata i cakton Berishës një avokat kryesisht.
Seancat për komunikimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha po dështojnë prej së hënës në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – pas akuzave të ngritura nga SPAK ndaj tij për veprën penale të korrupsionit pasiv.
Ndaj Berishës është caktuar masa e sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, por deri tanimë nuk është bërë e mundur të realizohet marrja në pyetje, përkundër sa u krye për dy të akuzuarit e tjerë, Jarmarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.
Seanca e të martës për Berishën dështoi të përfundonte, pasi u shty për të mërkurën me kërkesë të avokatëve për t’u njohur me aktet e dosjes. Gjykata e Posaçme njoftoi ndër të tjera të martën, se mbrojtësit e e zgjedhur nga Berisha, avokati Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kishin parashtruar verbalisht se do të paraqesnin kërkesë për përjashtim për gjyqtraren Irena Gjoka, por se nuk ishte regjistruar ende një kërkesë e tillë në sekretari.
Edhe seanca e së mërkurës u shty për në orën 18:00, pas largimit të avokatëve të zgjedhur dhe caktimit të një mbrojtësi kryesisht për Berishën.
Pas rreth një ore e gjysmë, avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi dolën nga salla. Ata deklaruan për mediet se kishin paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si dhe se kishin bërë kërkesë që t’u vendosej në dispozicion procesverbali audio dhe ai gjyqësor, si pjesë e provave për të kompletuar praktikën e depozitimit të kërkesës me shkrim në sekretarinë gjyqësore. Ata shtuan se gjykata nuk u kishte dhënë një kopje elektronike ose të shkruar të akteve.
Në vijim, avokati Gjokutaj pohoi se kishin kërkuar që gjykata të marrë iniciativën të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim çështjen e kufizimit të impunitetit apo të heqjes së lirisë që justifikon dërgimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal.
“Gjykata duke qenë në vijim të kërkesës për përjashtim, ku dispozita nuk e lejon as të japë e as të marrë vendim deri sa të shqyrtojë atë kërkesë, mori vendim për të rrëzuar këtë kërkesë tonën dhe në këtë mënyrë ne u larguam nga gjykimi”, deklaroi Gjokutaj.
Në vijim, Gjykata e Posaçme bëri me dije ecurinë e seancës për marrjen në pyetje të Berishës të filluar në orën 14:30.
Në njoftim pasqyrohen kërkesat e bëra me dije nga avokati Gjokutaj, për të cilat gjykata ka disponuar me vendim të ndërmjetëm.
Lidhur me kërkesën për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, gjykata shprehet se ka disponuar me vendim në seancën e shkuar, me të cilin është pranuar kërkesa e tyre për njohjen me aktet dhe njëkohësisht të marrin kopje të tyre. Po ashtu, është pranuar kërkesa për vënien në dispozicion të CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj, kundrejt tarifave respektive.
Kërkesa për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës është rrëzuar nga gjyqtarja Gjoka.
Sipas Gjykatës, dy mbrojtësit Gjoktuaj dhe Mëngjesi kanë bërë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe janë larguar nga salla, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.
Kur Gjokutaj dhe Mëngjesi u larguan nga salla e gjyqit të mërkurën, pas marrjes dhe të mendimit të prokurorëve të çështjes, gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni, për të mbrojtur interesat e ligjshme të Berishës.
Në vijim, u njoftua se seanca u shty me dy orë që avokati Simoni të njihej me aktet.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Jarmarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit, se arriti të transformojë një trashëgimi modeste prej 113.7 m2 tokë në një pasuri prej miliona eurosh përmes kontratave sekrete dhe vendimeve të Berishës në favor të biznesit të tij.
Dosja voluminoze prej 199 faqesh, e cila mbështeti kërkesën e prokurorisë për masë sigurie për Malltezin, Berishën dhe biznesmenin Fatmir Bektashi pretendon se suksesi i Malltezit në shumëfishimin e pronës së tij lidhet me gatishmërinë e ish-kryeministrit Berisha për të ndryshuar ligje apo vendime të qeverisë, si dhe me përdorimin prej tij të strukturave qeveritare si mjet shantazhi ndaj zyrtarëve që shfaqnin dyshime apo rezistonin ndaj kërkesave të bashkëshortit të vajzës./ BIRN