MENU
klinika

Çfarë pritet?

Çështja ‘Beleri’, Kushtetuesja kalon për shqyrtim dosjen

26.10.2023 - 12:19

Gjykata Kushtetuese ka kaluar për gjykim çështjen ‘Beleri’. Shqyrtimi do të bëhet në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

“Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28.09.2023 është paraqitur dhe regjistruar me nr. 2 (Dh) 2023 regjistri themeltar, datë 28.09.2023 kërkesa me kërkues Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: “Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në datën 23.10.2023, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.” ka njoftuar gjykata.

Ditën e djeshme Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore.

GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj. Pas këtij vendimi, avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.

Në vijim, gjykata çeli procesin gjyqësor dhe ftoi prokurorinë të lexojë kërkesën për gjykim. Sipas SPAK, hetimi ndaj Belerit nisi pas një informacioni të Policisë së Vlorës. Më pas, Arsen Rama pranoi të bashkëpunojë me oficerët e Policisë Gjyqësorë për kryerjen e veprimeve të simuluara dhe përgjimet audio e video.

Në një nga takimet me Alfred Belerin, Ramës i është premtuar nga 50 euro për çdo votë të sigurt dhe 300 euro për atë vetë. Të nesërmen, pasi ka dërguar një listë me 8 persona, Arsen Rama, ka marrë nga Pandeli Kokaveshi një shumë prej 4 mijë lekësh të rinj.

Seanca e radhës ndaj Belerit është në 7 nëntor, ku do të thirren 8 dëshmitarët e parë të prokurorisë.