MENU
klinika

Në janar ofensiva e radhës

De Zerbi “përndjek” Asllanin, Brighton nuk i ndahet yllit kuqezi

26.10.2023 - 14:52

Në Itali, tema Kristjan Asllani mbetet e hapur. Ndryshe nga një vit më parë, Simone Inzaghi po i jep disa minuta talentit kuqezi, si në sfidën e fundit kundër Salzburg, por me sa duket as kaq nuk mjafton, të paktën jo për opinionin në Itali. Drejtuesit e klubit zikaltër, në çdo dalje publike, por edhe vet trajneri Inzaghi, shprehet se kanë shumë besim tek Asllani, por kjo nuk reflektohet shumë në fushë. Mesfushori është një lojtar i ri që sot më shumë se kurrë ka nevojë për minuta.

Mediat shkruajnë se janari pritet të jetë muaji përcaktues për të ardhmen e Kristjan Asllanit, në një kohë kur ofertat për të nuk mungojnë. Në Serie A janë disa ekipe si Monza apo Empoli që janë të gatshëm ta marrin në skuadër, por tunduese për të dy palët, si për Inter ashtu edhe për Asllanin, është oferta fikse që vjen nga Premier League.

De Zerbi, trajneri i Brighton, nuk heq dorë nga futbollisti shqiptar, por do të tentojë edhe një herë në janar për ta afruar në Premier League. Për momentin, opsioni më i përshtatshëm mbetet huazimi, pasi drejtuesit e Interit nuk dëshirojnë të heqin dorë përfundimisht nga Asllani pasi shihet jo vetëm si zëvendësuesi i vetëm i Calhanoglus, por dhe si regjisori i ardhshëm i ekipit. Vendimtare pritet të jetë edhe dëshira e vet lojtarit.