MENU
klinika

Megaoperacioni “Tempulli”

Elbasan, arrestohen tre persona

17.10.2023 - 11:14

Janë goditur katër raste të tjera në Elbasan për shitje të lëndëve të ndryshme narkotike, në doza.

Si rezultat i megaoperacionit ndërkombëtar “Tempulli”, janë arrestuar tre persona dhe tre të tjerë nën hetim.

Në lagjen “Visarjon Xhuvani”, u kap me doza kanabis, me vete, shtetasi F. J. i dënuar më parë për vjedhje. Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte fshehur në një kuti, në rrugën “Janaq Kilica”, doza të tjera të kësaj lënde narkotike, me qëllim blerjen nga shtetasit G. D. dhe B. S. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u vu në pranga shtetasi F. J., 35 vjeç, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. D., 31 vjeç dhe B. S., 29 vjeç, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dozat e dyshuara të lëndës narkotike kanabis.

Në lagjen “Vullnetari”, u arrestua shtetasi J. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjithashtu, nga kontrolli në banesë, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 thika të dyshuara vepra arti, të trafikuara.

Në lagjen “28-Nëntori”, u arrestua në flagrancë shtetasi B. F., 20 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Ndërsa një 33-vjeçar D.D po hetohet në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit fizik të kryer në lagjen “Visarjon Xhuvani”, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.