MENU
klinika

“Baba më qëlluan, më ndihmo”

Historia e vajzës izraelite që u sulmua nga Hamasi!

15.10.2023 - 12:04

Njëzet e dyvjeçarja Neta Portal nuk kishte folur me të atin për gjashtë vjet, pas divorcit të prindërve të saj.

Por kur persona të armatosur të Hamasit vërshuan në shtëpinë e saj në komunitetin hebre Kfar Aza dhe e qëlluan gjashtë herë, ajo e dinte se ai ishte i vetmi person që mund t’i shpëtonte jetën.

Shimon Portal, një polic, ishte tashmë në një përleshje me armë zjarri në qytetin e afërt të Sderot kur mori mesazhin e parë nga vajza e tij.

Por vrasjet në komunitetin “kibbutz” tashmë kishin filluar.

Neta po trajtohet në një spital në Tel Aviv ku mjekët i hoqën me kujdes çdo plumb – pesë në këmbën e saj të majtë dhe një nga e djathta.

Në një rrëfim për BBC ajo dridhej ndërsa kujtonte se si humbi vetëdijen kur personat e armatosur erdhën dhe hapën zjarr.

“Ata po qëllonin njerëzit. Ata po qëllonin fëmijët. Dhe njerëzit bërtisnin, ‘Ju lutem jo, ju lutem jo’. U përpoqa të zgjohesha sepse nuk doja të vdisja”.

Pranë saj në spital ishte edhe i dashuri i saj Santiago – ose Santi – i cili mezi mban lotët.

Çifti kishte kaluar katër muaj në Kfar Aza – një vend që ata e cilësojnë si më të bukurin në tokë.

“Santi më tha: Neta, të lutem hape dritaren, të lutem kërce. Hapa dritaren dhe pashë 10 ose 15 terroristë”.

Ajo nuk mund ta besonte atë që shihte.

“Ata po qëndronin në një makinë me një automatik të madh, duke pirë cigare dhe duke qeshur sikur të ishin me pushime”.

Neta thotë se ajo dhe i dashuri i saj kishin frikë të hidheshin, por kur një sulmues hodhi një granatë në dhomë, Santi e kapi dhe ata u hodhën nga dritarja së bashku.

“Terroristët na panë dhe filluan të qëllonin sikur të ishim asgjë”.

Neta u godit edhe me më shumë plumba në këmbë dhe në dorë.

“Santiago më bërtiti: “Të lutem ngrihu – fillo të vraposh. Nëse nuk ngrihesh në këmbë, ne do të vdesim. Ne do të vdesim”.

Santiago arrita ta mbante dhe ta dërgonte në një vend të sigurt dy rrugë më larg, ku u fshehën nën një grumbull të madh mbeturinash, duke u përpjekur të qëndronin sa më të qetë.

Derisa ai përdori këmishën për të ndalur gjakun që rridhte nga këmbët e Neta-s, ajo arriti t’i dërgonte edhe një mesazh babait të saj.

“Baba më qëlluan, më ndihmo”, ishte mesazhi që i dërgoi. Ndërsa i ati i ktheu që po vinte për ta shpëtuar.

Babai i saj tha se i kishte ndalur zemra dhe tha se ishte shumë i inatosur, ndersa foli për BBC dhe qëndronte pranë vajzës së tij në spital.

Polici me rroba civile ishte tashmë rrugës për në Kfar Aza, por kur më në fund mbërriti me makinën e tij, persona të armatosur hapën zjarr dhe ai u përgjigj.

Shimon u kthye mbrapsht, ndërsa plumbat e goditën automjetin e tij dhe ai arriti të largohej. Ai më pas u përpoq të bënte një përpjekje të dytë për të shpëtuar vajzën e tij.

“Papritur, tre fëmijë vrapuan drejt makinës sime, sepse më kishin dëgjuar duke bërtitur në hebraisht. Dhe unë hapa derën. Ata filluan të futen përpara, por dy terroristë dolën nga shtëpitë dhe qëlluan mbi ne”.

Shimon thotë se arriti të arratisej me tre vajzat.

Ai nuk e dinte se ku jetonte vajza e tij, por u nis për në vendndodhjen që ajo e dërgoi.

Pastaj ai e gjeti atë. Ai e futi Neta-n në pjesën e pasme të makinës së tij dhe së bashku me Santiagon, i cili gjithashtu ishte qëlluar në këmbë, ata shkuan në spitalin më të afërt.