MENU
klinika

Kontratë e re edhe për 3 titullarë të tjerë

Inter blindon yjet, Martinez bëhet lojtari më i paguar në Serie A

26.10.2023 - 14:50

Mes Champions dhe Serie A, Inter po kalon një moment shumë pozitiv. Në shtëpinë zikaltër, stafi drejtues, po kujdeset të blindojnë lojtarët aktual, për të ndërtuar ekipin për të ardhmen. Njeriu kyç i kësaj skuadre është pa diskutim Lautaro Martinez, kapiten dhe lider absolut. Prej kohësh po punohet për t’i ofruar yllit argjentinas një kontratë të re.

Sipas La Gazzetta dello Sport, rinovimi është një formalitet pasi palët kanë gjetur akordin për një kontratë të re deri në 2028, aktualja përfundon në 2026. Me kontratën e re është parashikuar edhe një rritje e ndjeshme e pagës, për momentin përfiton 6 milionë euro, por pasi të hedh firmën, Martinez do të shndërrohet në lojtarin më të paguar në Serie A.

Jo vetëm “demi”, Inter po planifikon të rinovojë kontratën edhe me disa titullarë të tjerë si Mkhitaryan, Federico Dimarco dhe Dumfries. Mesfushorit armen i është ofruar një kontratë e re dy vjeçare, aktualja përfundon në 2024. Dimarco pritet të firmos një kontratë deri në 2028 nga ku do të përfitojë 4 milionë euro në sezon.