MENU
klinika

Analiza

Katër udhëheqësit që po e kthejnë botën përmbys

10.10.2023 - 09:00

Që në momentin që mësova se në vitin 1947, Uollter Lipman përmendi për herë të parë termin “Lufta e Ftohtë” për të përcaktuar konfliktin në zhvillim midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, mendova se do të ishte mirë që të isha në gjendje të emërtoja një epokë historike.

Tani që ka mbaruar post-Lufta e Ftohtë, faza në të cilën ne kemi hyrë po kërkon që të marrë një emër. Pra kjo është epoka e “Nuk ishte ky plani”. E di që ky term është i gjatë dhe jo tërheqës – dhe unë nuk pres që të bëhet popullor – por në fakt është i saktë.

Atë e hasa në një udhëtim të kohëve të fundit në Ukrainë. Isha duke biseduar më një nënë ukrainase, e cila po me shpjegonte se që nga fillimi i luftës, jeta e saj sociale ishte reduktuar tek darkat e herëpashershme me miqtë, festimet e ditëlindjeve të fëmijëve “dhe funeralet”.

Pasi përmenda deklaratën e saj në rubrikën time, shtova komentin tim: “Nuk ishte ky plani”. Përpara vitit të kaluar, të rinjtë ukrainas kishin pasur një qasje më të lehtë në BE, kishin hapur biznese të reja në fushën e teknologjisë, duke menduar se cilin universitet të ndiqnin dhe duke pyetur veten nëse do të shkoni me pushime në Itali apo Spanjë.

Dhe pastaj, tamam si një meteor, erdhi pushtimi rus që ua ktheu jetën përmbys brenda natës. Jo vetëm atyre. Planet e shumë njerëzve – dhe planet e shumë vendeve – janë sabotuar plotësisht kohët e fundit. Ne kemi hyrë në një epokë të pas-Luftës së Ftohtë që premton pak nga prosperiteti, parashikueshmëria dhe mundësitë e reja të epokës së pas-Luftës së Ftohtë të 30 viteve të fundit që nga rënia e Murit të Berlinit.

Kjo ka shumë arsye, por asnjëra nuk është më e rëndësishme se puna e 4 udhëheqësve kryesorë, të cilët kanë një gjë të përbashkët: Secili beson se lidershipi i tij është i domosdoshëm dhe se ata janë të gatshëm të bëjnë përpjekje ekstreme për të mbajtur pushtetin për aq kohë sa të munden.

E kam fjalën për Vladimir Putin, Xi Jinping, Donald Trump dhe Benjamin Netanjahun. Të katërt – dhe secili në mënyrën e vet – kanë krijuar përçarje të mëdha brenda dhe jashtë vendeve të tyre bazuar në interesin e pastër vetjak, në vend të interesave të popullit të tyre.

Po ashtu e kanë bërë shumë më të vështirë për kombet e tyre funksionimin normal në të tashmen dhe planifikimin me mençuri të gjërave për të ardhmen. Merrni Putinin. Ai e nisi drejtimin e vendit si një reformator që e stabilizoi Rusinë post-Jelcin, dhe nxiti një bum ekonomik, falë rritjes së çmimit të naftës.

Por më pas të ardhurat nga nafta filluan të bien, dhe siç e përshkruan studiuesi i Rusisë Leon Aron në librin e tij të ri “Kalërimi i tigrit: Rusia e Vladimir Putinit dhe përdorimet e luftës”, Putin bëri një kthesë të madhe në fillimin e presidencës së tij të tretë në vitin 2012, pasi shpërthyen protesta të mëdha kundër sundimit të tij në 100 qytete ruse dhe kur ekonomia ruse u fut në krizë.

Zgjidhja e Putinit: “Zhvendosja e themelit të legjitimitetit të regjimit të tij nga përparimi ekonomik në patriotizmin e militarizuar”- thotë Aron, si dhe fajësimin e Perëndimit dhe zgjerimit të NATO-s për çdo gjë të keqe që vuan vendi.

Në këtë proces, Putin e shndërroi Rusinë në një kështjellë të rrethuar, të cilën, në mendjen dhe propagandën e tij, vetëm Putin është në gjendje ta mbrojë. Dhe për këtë arsye duhet që ai të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën. Putin kaloi nga roli i shpërndarësit të të ardhurave të Rusisë në një shpërndarës dinjiteti, i fituar përmes të gjitha mënyrave dhe vendeve të gabuara.

Pushtimi i tij në Ukrainë, me synim rikrijimin e një Atdheu mitik rus ishte i pashmangshëm. Kohët e fundit edhe ngjarjet në Kinë kanë ndodhur krejt papritur. Pas hapjes dhe lehtësimit të vazhdueshëm të kontrolleve të brendshme që nga viti 1978, duke e bërë atë më të parashikueshme, të qëndrueshme dhe më të begatë se sa në çdo kohë tjetër në historinë e saj moderne, Kina përjetoi një kthesë pothuajse 180 gradë në drejtimin e Presidentit Xi.

Ai zhduku nenet e Kushtetutës që kufizonin mandatit e presidentit – të respektuara nga paraardhësit e tij për të parandaluar shfaqjen e një Mao tjetër – dhe e bëri veten president për një kohë të pacaktuar.

Me sa duket Xi besonte se Partia Komuniste Kineze po e humbiste kontrollin e saj – duke çuar në një korrupsion të përhapur – ndaj ai ripohoi fuqinë e saj në çdo nivel të shoqërisë dhe biznesit, duke eliminuar në këtë proces çdo rival të mundshëm.

Kjo qasje e ka bërë Kinën më të mbyllur se çdo herë që nga koha e Maos – të shoqëruar me zhdukjet e papritura nga skena të Ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm – e përndjekur nga e vërteta se ne mund të kemi parë tashmë “kulmin e Kinës” për sa i përket potencialit ekonomik të vendit, gjë që do të ishte një tërmet për ekonominë globale.

Sigurisht që nuk ishte as në planet e mia që pas gati një jete të shpenzuara në përkrahje të betejave të Izraelit kundër armiqve të huaj, të përfundoja duke shkruar sot se si kërcënimi më i madh për demokracinë hebraike është një armik i brendshëm, një grusht shteti në gjyqësor i udhëhequr nga Netanjahu, i cili po copëton shoqërinë izraelite dhe segmentet e ushtrisë.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Dan Harel, tha javën e kaluar në një tubim në Tel Aviv kundër ndryshimeve në sistemin e drejtësisë se “asnjëherë nuk e kam parë sigurinë tonë kombëtare në një gjendje më të keqe sesa sot”.

Sipas tij ka pasur “dëmtime në njësisë rezervë të IDF, gjë që ka reduktuar gatishmërinë dhe aftësinë e tyre operacionale”. Dhe ky nuk është problem i vogël për Shtetet e Bashkuara.

Sepse përgjatë 50 viteve të fundit, Izraeli ka qenë njëkohësisht një aleat vendimtar dhe në fakt, një bazë në rajon përmes së cilës Amerika projektonte fuqinë pa përdorimin e trupave amerikane. Izraeli shkatërroi përpjekjet e reja të Irakut dhe Sirisë për t’u bërë një fuqi bërthamore. Izraeli është sot kundërpesha e frenimit të zgjerimit të fuqisë iraniane në të gjithë rajonin.

Por nëse kemi edhe 3 vite të tjera të qeverisë ekstremiste të Netanjahut, me aspiratën e saj për të aneksuar Bregun Perëndimor, dhe për t’i sunduar palestinezët atje me një sistem të ngjashëm me aparteidin, shteti hebre mund të bëhet burimi kryesor i destabilitetit në rajon.

Një shtet jo i qëndrueshëm dhe një aleat akoma më i pasigurt, pak më tepër se Turqia sot dhe më pak si Izraeli i dikurshëm. Dhe pse? Në një profil të kohëve të fundit të Netanjahut në “New York Times”, Rut Margalit citoi Zev Elkin, ish-ministër të partisë Likud në kabinetin e Netanjahut, duke e përshkruar kështu këtë të fundit: “Ai e nisi karrierën me një botëkuptim që thoshte:Unë jam udhëheqësi më i mirë për Izraelin në këtë kohë.”

Por dalëngadalë u shndërrua në një botëkuptim që thoshte: “Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Izraelit është nëse unë nuk e udhëheq më atë, për këtë arsye mbijetesa ime në pushtet justifikon çdo gjë”.

Nuk është shumë e nevojshme të theksohet se vëzhgimi i përpjekjeve të Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve tona presidenciale të vitit 2020, duke frymëzuar një turmë për të sulmuar dhe plaçkitur Kapitolin më 6 janar 2021, dhe më pas i njëjtin njeri bëhet kandidati kryesor i republikanëve për president në zgjedhjet e vitit 2024, i bën zgjedhjet tona të radhës si më të rëndësishmet që kanë qenë ndonjëherë.

Por nuk ishte ky plani. Emëruesi i përbashkët që i lidh këta katër liderë, është se ata të gjithë kanë shkelur rregullat e lojës në vendet e tyre. Dhe në rastin e Putinit, ka filluar një luftë jashtë vendit për një arsye shumë të njohur: të qëndrojë në pushtet. Ndërkohë sistemet e tyre lokale – elita ruse, Partia Komuniste Kineze, elektorati izraelit dhe Partia Republikane – nuk kanë qenë në gjendje t’i kufizojnë në mënyrë efektive apo tërësisht.

Por ndërkohë ka edhe dallime të rëndësishme midis të katërve. Netanjahu dhe Trump po përballen me regresin e demokracisë në vendet e tyre, ku gjithsesi votuesit kanë ende mundësi t’i largojnë ose ndalojnë që të dy. Për me tepër asnjëri prej tyre nuk ka nisur një luftë.

Xi është një autokrat, por ai ka një axhendë për të përmirësuar jetën e popullit të tij, dhe një plan për të dominuar industritë kryesore të shekullit XXI-të, nga bio-teknologjia tek Inteligjenca Artificiale. Por rregulli i tij gjithnjë e më i hekurt mund të jetë pikërisht ajo që e pengon Kinën të arrijë atje, kryesisht sepse po shkakton një largim të njerëzve më të arsimuar.

Putin nuk është gjë tjetër veçse një bos mafioz që maskohet si president. Ai do të mbahet mend për transformimin e Rusisë nga një qendër e zhvillimit shkencor – ky vend lëshoi në vitin 1957 satelitin e parë në orbitë – në një vend që nuk mund të prodhojë dot një makinë apo një orë.

Putin u detyrua t’i telefononte liderit të Koresë së Veriut për të kërkuar ndihmë për ushtrinë e tij të shkatërruar në Ukrainë. Tek e fundit Donald Trump është më i rrezikshmi nga të katërt për një arsye shumë të thjeshtë: kur bota bëhet kaq kaotike dhe vende të tilla kyçe dalin jashtë planit, pjesa tjetër e botës varet nga Shtetet e Bashkuara për të drejtuar strategjinë e frenimit të telasheve dhe kundërshtimit të shteteve ngatërrestare.

Por Trump preferon të injorojë telashet dhe i ka lavdëruar liderët ngatërrestarë, përfshirë Vladimir Putinin. Është kjo ajo që e bën kaq të frikshme, kaq të pamatur dhe kaq të pakuptueshme perspektivën e një presidence tjetër Trump. Sepse Amerika është ende shtylla e tendës që mban botën.

Ne nuk e ushtrojmë gjithmonë me mençuri misionin tonë, por nëse do të ndalonim fare, atëherë gjërat do të merrnin për keq. Duke pasur parasysh atë që po ndodh tashmë në këto 3 vende të tjera të rëndësishme, nëse ecim të lëkundur, do të lindë një botë ku askush nuk do të jetë në gjendje të bëjë asnjë plan.

 Nga Thomas L.Friedman “New York Times”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Kryeministri është gati të nënshkruajë urdhrin

Trump “i jep zemër”, Izraeli synon programin bërthamor iranian

Rusia aktivizon “Oreshkin”

Paralajmërimi ogurzi që vjen nga Ukraina!

Shefi i NATO-së takohet me Trump në Florida!

Çfarë diskutuan Mark Rutte dhe presidenti i zgjedhur i Amerikës

Analiza e DW: Si do të veprojë qeveria

A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani?

Netanyahu “barazohet” me Putinin

E ardhmja e Izraelit varet “në fije të perit”