Ish-kryeministri Sali Berisha ka vazhduar fjalën e tij në errësirë, pasi Kuvendi i fiku dritat dhe ka paralajmëruar se në Parlament do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme.
Berisha theksoi se deputetët e PS “si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan”, por ktheksoi se “me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë”.
Ish-kryeministri deklaroi se nuk i është caktuar kurrë përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore, duke shtuar se Rama “gjeti një peng dhe e keqpërdor atë në mënyrë ekstreme dhe ta paraqesë si përfaqësues të opozitës në reformën elektorale, në një kohë kur ai nuk përfaqëson gjë tjetër veçse interesat e tij më të ngushta, më të dyshimta dhe më kriminale”.
Ai iu drejtuar qytetarëve duke thënë se “këtë betejë e kemi detyrim ndaj jush”.
Sali Berisha: Siç e shihni, si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan. Por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë. Në parlament ju garantoj se do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është një fiktivitet.
Kurrë në 32 vite, nuk i është caktuar përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Për herë të parë, Edi Rama, në traditën më të egër të etërve të tij xhelatë, mori përsipër duke gjetur një peng, të keqpërdorë atë në mënyrë ekstreme dhe ta paraqesë si përfaqësues të opozitës në reformën elektorale, në një kohë kur ai nuk përfaqëson gjë tjetër veçse interesat e tij më të ngushta, më të dyshimta dhe më kriminale.
Kjo është dita e parë e betejës sonë, në këtë betejë e kemi detyrim ndaj jush. Ju, me kurajën votuat kundër qeverisë. Kundër një qeverie e cila ka rekordet më të zeza në vjedhjen, varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve. Ka rekordet më të zeza në lidhje me krimin dhe drogën. Ka rekordet më të zeza në pasurimin e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tyre me pasuritë publike dhe fondet e buxhetit të shtetit. Ka rekordet më të zeza me lidhjet me grupet e drogës nga Sinaloa e Meksikës që sot është kryekarteli i botës te grupet në Ekuador dhe në vende të tjera. ka rekordet më të zeza në liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhunimin masiv të votës.
Qindra mijëra nga ju do të donit të ishit sot në sallë. Betejën do e vazhdojmë së bashku, në Parlament do ju përfaqësojmë ne.”