Mbi 100 mijë vizitorë ishin pjesë e sezonit turistik në Kalanë e Rozafës në Shkodër, duke bërë që ky sit i rëndësishëm i trashëgimisë historike dhe kulturore të përjetojë bum turistik si dhe pjesa tjetër e vendit.
Ndërsa sezoni veror përfundoi zyrtarisht, DRTK Shkodër bëri të ditur shifrën mbresëlënëse duke shprehur edhe falënderimin ndaj të gjithë vizitorëve, vendas e të huaj, që zgjodhën sitet arkeologjike të qarkut Shkodër, duke bërë që të arrihej objektivi i synuar.
“Kemi arritur objektivin tonë t’i kalonim 100 mijë vizitorë në përmbylljen zyrtare të sezonit turistik dhe të prezantonim denjësisht bukurinë dhe historinë e sitit arkeologjik të Kalasë Rozafa”, u shpreh DRTK Shkodër në rrjetet sociale.
Përveç vlerave të kalasë së Rozafës, në rritjen e numrit të vizitorëve kanë ndikuar edhe aktivitetet e organizuara në këtë sit.
Janë dy evente madhore si Za Fest dhe TUBA Fest, përmes të cilave u arritën 17 mijë vizitorë më shumë në periudhën maj-shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
“Ndjehemi krenar dhe të privilegjuar që keni zgjedhur të merrni pak nga koha juaj dedikuar siteve tona arkeologjike. Me përshtypjet nga vizita juaj, keni kontribuar në mbështetjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit tonë”, u shpreh DRTK Shkodër duke i ftuar të gjithë të rikthehen për të eksploruar më shumë dhe për të ndarë emocionet dhe mrekullitë e një qyteti të veçantë si Shkodra.