MENU
klinika

Dritan Hila

Për Gjirokastrën që pashë këtë vjeshtë!

22.10.2023 - 16:29

Ky është bypassi i Gjirokastrës. Lehtëson trafikun dhe i jep akses të lehtësuar lagjeve të Hazmuratit (lagja e dajave të nënës time), Pazarit të Vjetër, Dunavatit 1&2 dhe mbi të gjitha jep pamjen e pasme të kalasë së Gjirokastrës, deri sot e panjohur për publikun.

Parkingu poshtë sheshit të Çerçizi e kishte kthyer në pedonale gjithë Qafën e Pazarit.

Gjirokastra ka frymëmarrje. Edhe një person i moshës së tretë mund të lërë makinën në parking dhe të shijojë Qafën e Pazarit apo kalanë.

Kujtoj ambientalistët e opozitës që bënin muhabete si po shkatërrohej qyteti, e ku? Tek përroi ku kalon bypassi e që unë kur shkoja tek tezja në Dunavat, bëja gjunjët copë në atë humbëtirë duke mbledhur manaferra dhe po të rrëzoheshe nuk të gjente as qeni.

Gjirokastra ka një mal me punë për të bërë. Është një qytet dhe jo një lagje. Pa shpërfillur problemet e pronësisë. Dikur ishte një ndërmarrje me 200 punëtorë që kujdesej për rrugët e atij qyteti kurse shteti jepte kredi për mirëmbajtjen e shtëpive. Sot duhet t’ia dalë vetëm shteti. Shtëpitë që po rrënohen kanë konflikte pronësie.

Ka ardhur koha të shtetëzohen kundrejt dëmshpërblimit pronarëve gërnjarë, dhe t’ju jepen atyre që i zhvillojnë. Pasi nuk kemi të bëjmë me një pronë të thjeshtë por me pasuri kombëtare identitare.

Por Gjirokastra sot është vetëm 3 orë larg Tiranës dhe një qytet jo vetëm muzeal por i mirëfilltë turistik. Bravo Mirela, Bledar e Flamur!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN