MENU
klinika

Emrat

Pezullohen nga detyra 9 punonjës policie në Gjirokastër

24.10.2023 - 19:40

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka vendosur në datë 21 tetor, caktimin e masave të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 9 punonjës policie pranë DVKM Gjirokastër.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, e konkretisht:
– Drejtues B.T., Koordinator i Operacionit me FRONTEX;
– Kryekomisar F.M., Shef i Sektorit të Migracionit në DVKM Gjirokastër;
– Komisar R.R., Shef i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër;
– N/Komisar E.K., Specialist në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër;

– N/Komisar B.K., Specialist i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër;
– Inspektor R.B., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër;
– Inspektor D.S., Trup Shërbimi në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër;
– Inspektor E.K., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër;
– Inspektor D.Ç., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër.

Vendimi i Gjykatës është rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, pas informacioneve se disa punonjës policie në bashkëpunim, transportonin migrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së migrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar. Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të punonjësve apo bashkëpunëtorëve të tyre.