MENU
klinika

Kombëtare spektakolare

Shqipëria fiton 3-0 me Çekinë dhe nis ‘fluturimin’ për në Euro 2024

12.10.2023 - 22:48

Shqipëri 3-0 Çeki (Jasir Asani 10′, Taulant Seferi 51′, 73′)

Euro 2024, grupi E kualifikues

Stadiumi “Air Albania”, Tiranë

Arbitër: Danny Makkelie

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-0 kundër Çekisë në “Air Albania”, për grupin E të Euro 2024. Në stadiumin e tejmbushur të Tiranës vendosi goli i Jasir Asanit në minutën e 10-të dhe dopieta e Taulant Seferit në minutat 51 dhe 73. Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit dhe janë me një këmbë në fazën finale të “Gjermani 2024”.

Komentet e ndeshjes:

90+7′ Mbyllet 3-0 ndeshja Shqipëri – Çeki. Kuqezinjtë fitojnë mes spektaklit dhe i shkaktojnë çekëve humbjen e parë në këto kualifikuese. Pas 71 vitesh, kuqezinjtë fitojnë me Çekinë dhe janë pranë Gjermani 2024.

82′ Arbnor Muja shënon golin e katërt, por VAR e anullon për pozicion jashtë loje.

73′ Shqipëri 3-0 Çeki. Taulant Seferi shënon golin e tretë dhe dopietën personale. Mirlind Daku pason për sulmuesin nga Kumanova, i cili me portën bosh nuk mund të gabojë.

67′ Dalin Bajrami dhe Cikalleshi, në fushë Daku dhe Muçi.

54′ Jasir Asani i bën vend Arbnor Mujës.

51′ Shqipëri 2-0 Çeki. Taulant Seferi shënon golin e dytë. Një aksion model dhe pasimi final i Cikalleshit, shfrytëzohet mirë nga ish-sulmuesi i Tiranës. Arbitri bëri tifozët me zemër, ndërsa pas kontrollit me VAR goli u cilësua si i rregullt.

46′ Tomas Holes i bën vend Lukas Provodl te miqtë.

46′ Nis pjesa e dytë.

45+4′ Mbyllet 1-0 pjesa e parë.

45′ Katër minuta shtesë.

40′ Chytil (Çeki) merr kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtohet. Tanët në epërsi numerike.

10′ Shqipëri 1-0 Çeki. Jasir Asani shënon golin e parë për tanët nga jashtë zone. Asisti i Ramadanit shfrytëzohet nga sulmuesi, që përsërit golat spektakolarë me Kombëtaren.

1′ Kuchta (Çeki) ka një mundësi duke goditur portën. Berisha e pret bukur topin e lojtarit mik.

1′ Fillon ndeshja në Tiranë.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Bajrami, Asllani, Ramadani; Asani, Seferi, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Çeki (3-4-3): Pavlenka; Krejci, Brabec, Holes; Jurasek, Sadilek, Soucek, Coufal; Kuchta, Chytil, Cerny Trajner: Jaroslav Silhavy

Prag ndeshje/ Atmosfera është ndezur në Tiranë, me Tifozat Kuq e Zi që janë grumbulluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me veshje kuqezi, tifozët po mbërrijnë nga mbarë trevat shqipfolëse, me duelin që është më shumë se i rëndësishëm për kalimin më tej drejt “Gjermani 2024”.

Përgatitjet kanë nisur edhe nga forcat e policisë, me 1700 efektivë që janë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e këtij eventi dhe shmangur përplasjet mes tifozëve. Do jenë afro 600 tifozë çek në “Air Albania”, me stadiumin që do jetë i mbushur në kapacitet maksimal dhe tanët në sektorët e stadiumit do kenë nga një plis për koreografinë.

Danny Makkelie do jetë arbitri i këtij takimi, me holandezin që është ndër arbitrat më të mirë në Evropë dhe me profesion është polic. Në rast se tanët kalojnë në fazën finale të Euro 2024, Federata Shqiptare e Futbollit do arkëtonte një shumë prej 9.25 milionë eurosh në llogarinë bankare, kjo si pjesëmarrës në “Gjermani 2024”. Shtatë ndeshje, katër fitore për çekët, dy për tanët (viti 1952) dhe një barazim. Këto janë bilancet e përballjeve mes Shqipërisë dhe Çekisë në historinë e futbollit mes dy vendeve.

Sa i takon formacionit, Sylvinho ka projektuar skemën 4-3-3. Në portë Berisha, ndërsa në mbrojtje Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj; mesi i fushës, Bajrami, Asllani, Ramadani; në sulm Asani, Seferi dhe Cikalleshi.

Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.