MENU
klinika

“Me fundosjen e doktorit shkrihet PL”

Spahiu: Akuzat ndaj Berishës e kanë trembur, me fundosjen e doktorit shkrihet PL

24.10.2023 - 22:16

Kreshnik Spahiu ka folur për fatin e Ilir Metës, pas asaj që po ndodh me Sali Berishën. Partia e Metës, tha Spahiu ka mbijetuar falë Berishës dhe tani po shkon drejt shkrirjes. Ndërsa Ilir Meta, shprehet Spahiu e perceptoi atë çfarë do t’i ndodhë Berishës dhe po flet shumë me heshtjen e tij.

Spahiu paralajmëron se edhe drejtues të lartë të PL-së do të thirren nga SPAK-u shumë shpejt dhe akuzat janë po aq të rënda sa ato që rëndojnë mbi Sali Berishën.

“Edhe sikur mos kishin kundërshtarë SHBA-të, apo SPAK-un LSI-ja nga 20 deputetë u katandis në katër. Ndonëse ishte president, kryetar shteti, kishte klanet e interesit në krah, kishte një influencë shumë të fortë politike dhe si president nuk ruajti dot kuotat dhe nivelin politik, nga 20 ra në 4, madje tani është në tre se iu largua një deputet. Disheza e LSI-së kishte nisur pa filluar luftën me SHBA-në dhe pa u larguar nga posti Ilir Meta. Mjafton kaq që LSI-ja të shkrihet. Në jetë e ka mbajtur vetëm koalicioni me Berishën sepse ai ka një lloj karburanti politik të Shqipërisë. Sipas informacioneve, ka çështje penale që lidhjen drejtpërdrejt me liderët e Partisë së Lirisë. Nëse do të vazhdojë dhe do jenë në pozita të njëjta me Berishën, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, që çështjet penale nuk janë mbyllur për ta. Sipas të gjitha burimeve, mund të jenë disi të rënda akuzat dhe veprat penale ku SPAK-u po punon. Por nuk duhet paragjykuar, sepse mundet që edhe çështjet të pushohen. Ata prezumohen të pafajshëm deri kur të deklarohet nga Gjykata. Por nuhatjen politike të Ilir Metës mund ta vëmë re dukshëm në raport me mbështetësit e tjerë të Berishës. Nëse mbështetësit e tjerë të Berishës nuk e morën seriozisht atë çfarë mund t’i ndodhë Berishës dhe familjes së tij nga përplasjet me SHBA-në dhe me drejtësinë shqiptare, mendoj se një nga njerëzit që e ka perceptuar, ka pasur nuhatjen politike dhe e ka ndierë atë çfarë do të ndodhë është Ilir Meta, i cili ka folur shumë me heshtjen e tij”, u shpreh zoti Spahiu për “DritareTv”.