MENU
klinika

Akuza njihet me ekspertimin financiar

Vjedhja e 550 mijë €/ Detaje të reja nga çështja e Alda Klosit

15.10.2023 - 12:42

Prokuroria e Tiranës është njohur zyrtarisht me aktin e ekspertimit kontabël të zhvilluar për llogari të hetimit pasuror ndaj Alda Klosit, mikeshës së ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj.

Qëllimi i prokurorisë për kryerjen e një ekspertimi financiar, ishte për të zbuluar origjinën e ligjshme financiare të pasurive që janë në emër të Klosit, bashkëshortit të saj dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Burime bëjnë me dije se ekspertiza ka nxjerrë me bilanc pasuror negativ ish-drejtoreshën e Ahmetaj, duke sjellë provimin e dyshimeve të prokurorëve të Tiranës.

Pas njohjes me rezultatet e ekspertizës financiare, tashmë prokuroria e Tiranës ka nisur procedurat e mbylljes së çështjes penale me qëllim dërgimin si të pandehur në gjykatë të ish-zyrtares së ministrisë së Financave Alda Klosit, pastrueses së saj Rozeta Dobit dhe djalit të kësaj të fundit Havier Dobi.

Aktualisht Alda Klosi vijon të qëndrojë e izoluar në ambientet e Burgut të Grave në Tiranë.

Ish-zyrtarja dhe gruaja e besuar e ish-ministrit Arben Ahmetaj, u arrestua në fillim të muajit Shkurt 2023, si person i dyshuar për posedimin e paligjshëm të 550 mijë euro, të sekuestruara në banesën e pastrueses Rozeta Dobit.

Arrestimi i Klosit erdhi, menjëherë pas dëshmisë së Rozetës dhe djalit të saj Havier Dobi. Mes dy grave të arrestuara, Klosi dhe sanitares Dobi, prokuroria ka realizuar dy ballafaqime.

Por në përballjen e tyre, dy mikeshat kanë mbajtur qëndrime të kundërta pasi ish-zyrtarja flet dhe i qëndron versionit për vjedhjen e shumës 120 mijë euro.

Ndërsa Dobi, tregon se me lejen e Alda Klosit ka marrë nga banesa e saj, mbi 500 mijë euro për ti fshehur në shtëpinë e saj që ndodhet në zonën e “Astirit”.

Të dy zonjat e përfshira në këtë çështje ndodhen në masën “arrest në burg”, ku Rozeta Dobi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim me djalin e saj Havier Dobi.

Ndërsa Alda Klosi, akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.

Sipas policisë, shuma prej mbi 400 mijë eurosh e sekuestruar në shtëpinë e sanitares pas arrestimit të saj është e pa justifikuar me burime të ligjshme nga ana e ish-zyrtares Klosi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë deklaroi një ditë më parë për hetuesit

Alda Klosi kërkon lirinë në Apel

“Kam dy fëmijë për të rritur dhe një nënë të verbër...”

Alda Klosi kërkon lirinë në Apel! Kërkohet origjina e 405 mijë eurove