MENU
klinika

Ben Andoni

A mund të bëhet Kosova si Taivani dhe hijet e Rezolutës 1244

22.11.2023 - 17:20

Ka kohë që ekspertët e Sigurisë dhe autoritetet po venë alarmin sa i përket mos respektimit të Marrëveshjes së Kumanovës prej Serbisë. Së fundmi ishte vetë kryeministri Kurti dhe Ministri i tij i Mbrojtjes, Maqedonci. Pas një fushate bombardimesh prej plot 78 ditësh, gati ccerek shekulli më parë, një Marrëveshje Ushtarake-teknike i dha fund represionit serb, ashtu si nga këta të fundit u kërkua ndaljen e aksioneve të NATO-s mbi objektivat strategjike serbe. Në bazë të Marrëveshjes, që u nënshkrua më 9 qershor 1999 ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së dhe që hyri në fuqi më 11 qershor 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe duhet të tërhiqeshin. Firmat e Gjeneralit Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, kurse nga pala serbe e ish-shefit të Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneralit Nebojsha Pavkoviq ( i akuzuar më vonë prej Hagës për krime lufte dhe gjenocid) i dha udhë jo thjesht tërheqjes së gjithë personelit serb, por ndërkohë edhe saktësimit të një zone sigurie ajrore prej 25 kilometrash përtej kufirit të Kosovës e një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në, ku nuk lejoheshin të vendoseshin armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarëve kufitarë. Nuk është vendi të flasim për shkeljet e njëpasnjëshme të palës serbe, që kanë kulmuar me rastin e Bajnskës dhe më parë rrëmbimet e ushtarakëve të Kosovës, por pasojat që kemi tashmë përballë syve.

Ku jemi realisht tani? Aktorë dhe institucione të ndryshme kosovare duket se kanë ngritur duart dhe gjithçka e lënë në duar të autoriteteve evropiane dhe atyre amerikane. Është e vërtetë që vetë Kosova ka një lloj garancie të përsëritur prej tyre dhe kjo lidhet me ndihmën për të gjithë udhën e saj drejt Pavarësisë. Problemi shtohet kur kujton kleçkat me të cilat po përballen autoritetet e Kosovës, ashtu si nga ana tjetër harxhimin e energjive, më së shumti për kapital politik. Ndërsa, shqiptarët e kishin kaluar Rezolutën 1244, ajo duket se po kthehet në një realitet dhe në atë që nuk do ta donim kurrë, këtë herë me Asosacionin dhe atributet e tij. “Statuti i Autonomisë serbe ka liruar Gjykatën Kushtetuese nga ky stres i panevojshëm – ka eliminuar nga referimi Aktgjykimin e vitit 2015 , duke e hedhur atë në shportën e historisë së gjërave pa asnjë vlerë. Në vend të tij është futur Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit, si dhe disa tekste të tjera ligjore që, në asnjë rrethanë, nuk guxojnë dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Statutit të Autonomisë serbe, për faktin e thjeshtë se ato janë ligje. Futja e Rezolutës 1244 , së bashku me ligjet, si bazë për interpretim të kushtetutshmërisë së Autonomisë serbe dhe, garantimi i njëkohshëm i integritetit territorial e sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin. Rezoluta 1244 garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës. Ligjet e Kosovës që citohen si bazë për interpretim kushtetues – në mënyrë krejt arbitrare, dhe këtë duhet vënë në dukje – nuk shërbejnë pos për ligjësim të karakterit publik (shtetëror) të mekanizimit institucional të Autonomisë serbe, që do të ketë trajtën e Bashkësisë së komunave serbe. Aplikimi e zbatimi i tyre në praktikë, ndërkaq, është krejt fiktiv, nuk mund të zbatohen në formën që janë – ato duhen ndryshuar një nga një”, shkruan Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në një shkrim të fundit në mediat kosovare.

Në muajt e fundit pas dakordësimit në Bruksel dhe në Ohër, palët serbe dhe kosovare (pa firmosur) kanë avancuar shumë sa i përket qasjes së një fryme të re në dialog, porse në këtë lloj dinamike Kosova është larguar gjithnjë e më shumë nga sensi i përpjekjes për njohjen nga Serbia dhe lëshime të tjera. Nga ana tjetër, kjo e fundit, me gjithë detyrimet e saj, jo vetëm nuk ka ndihmuar lidhjen dhe detyrimet po ka sjellë shumë vështirësi, siç ishte së fundmi anëtarësimi i Kosovës në strukturat evropiane dhe mbi të gjitha sulmin e “Bajnskës”. Në javët e përpjekjeve evropiane për dialogun, fillimisht në Brusel dhe pastaj në Ohër, palët përplasën shumë ide, por fatkeqësisht duket se pala serbe mori oksigjen, duke devijuar nga pozicioni shumë i tërhequr dhe gati që kishte deri më atëherë (Vuccic e shprehu disa herë publikisht se gjendeshin para zgjedhjeve tejet të dhimbshme!). Si fituan kohë? Duket se serbët e blenë kohën me konfuzionin e Brukselit dhe qëndrimin e tyre agresiv në mjedisin e argumenteve juridikë ndërkombëtarë: “Pozicioni ligjor i Serbisë në negociata është i bazuar mirë në Rezolutën 1244 të OKB-së, e cila është miratuar në bazë të Kapitullit 7 të Kartës së OKB-së (Kërcënimet për paqen, shkeljet e paqes dhe aktet e agresionit). Këto rezoluta janë në fakt vendime me forcën e tyre, pasi sipas nenit 24 të Kartës, anëtarët e OKB-së ranë dakord që Këshilli i Sigurimit të vepronte në emër të tyre në zbatimin e detyrave të tij për të arritur paqen dhe sigurinë, dhe sipas nenit 25, ata kishin marrë përsipër të “. pranojnë dhe zbatojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit. Prandaj mund të thuhet se Rezoluta 1244 e OKB-së ishte një argument i pakundërshtueshëm“, u shpreh ato ditë Milenko Kreca[1], profesor i të Drejtës Ndërkombëtare.

Po pse serbët kanë marrë kaq shumë aksion dhe janë më të qetë?! Qysh nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësinë, lidhur me legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës, ata jo vetëm nuk i referohen, por gjejnë momentet e shmangies. Po vazhdojmë logjikën e të njëjtit autor: Opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që nga viti 2010 nuk ka ndryshuar asgjë për dy arsye, formale dhe përmbajtësore. Së pari, sipas tij sepse “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk është e autorizuar të ushtrojë kontroll gjyqësor mbi aktet e Këshillit të Sigurimit, veçanërisht vendimet e marra bazuar në Kapitullin 7 të Kartës. Nga pikëpamja thelbësore, mendimi i Gjykatës nuk prek thelbin e çështjes por paraqet një përgjigje abstrakte, një konstruksion sofistik, domethënë, konstaton se ‘e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban një ndalim të zbatueshëm të Deklaratës së Pavarësisë’, pa përcaktuar se kush ishte autori i saj”.

A munden argumentime të tilla dhe tollovia e momentit të na ngatërrojë për të ardhmen?! Për shumë nga zyrtarët kosovarë të përfshirë në bisedime, shumë anëtarë të ekipeve teknike, e dinë mirë se beteja me serbët do jetë e gjatë, ashtu si një gjë dihet shumë më mirë në publik: Serbët iu shmangën pozitës së disfavorshme. Tashmë janë harruar 15.000 të vdekurit në Kosovë dhe përzënia e pashpirt e gati 1 milionë njerëzve. Ccdo gjë është shndërruar në diplomaci për shqiptarët dhe revansh për serbët, që në eufemizëm përdorin thjesht bisedime. Apeli i Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës për median shqiptare (A2) na kthjelloi të gjithë : “48 bazat të ushtrisë serbe ekzistojnë përgjatë kufirit. Janë në një distancë nga 300 m deri në 5 km brenda kufirit të Serbisë. Ato përbëjnë kërcënim. Bazat janë të drejtuar armiqësisht drejt territorit të Kosovës dhe janë 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë serbe të vendosura në jug të Serbisë. Këto janë në një distancë të shkurtër nga Kosova. Këto 3 brigada mbështesin 48 bazat operacionale. Këto lloj bazash vendosen në vende ku pritet një invazion. Këto baza presin një moment të volitshëm për Serbinë për të kryer aksione ushtarake, apo për të mbështetur një sulm si ai i Banjskës. Janë dikur 4000 trupa në këto baza, të pajisura me armatim dhe mjete për sulme ushtarake”, tha Maqedonci.

Më pak fjalë, veç përpjekjes diplomatike; dialogut që s’ka fund; tollovisë politike në Kosovë; shtuar me problematikat që jo pak herë vinë nga Beogradi; presionit të njëanshëm ndaj Prishtinës; mosreagimi për gjendjen e re, që mund të sjellë Asosacioni (s’është ende transparent për askënd); shtuar me shkeljen e Kumanovës, a mund ta bëjnë të gjitha këto Kosovën një Taivan, duke nisur fillimisht me vendet që ta ç’njohin, kur dialogu po shkon pak nga pak në një zbehje të rolit të shtetit të Kosovës. Dukshëm, përpjekja serbe ka nisur prej kohësh me presionin ndaj vendeve të vogla. A është kjo një sfidë që mund të menaxhohet apo sërish do mbetemi në duart të ndërkombëtarëve?! Dilema. Por, jo pak herë, në fund kemi humbur, të shpresojmë të mos jetë rasti i tanishëm i Kosovës. (Homo Albanicus)

[1] Prof. Dr. Gjyqtar ad hoc i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (1993-tani) në çështjet që lidhen me Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit si dhe Ligjshmërinë e Përdorimit të Forcës. Gjyqtar ad hoc i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Anëtar i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë (2013-tani); Anëtar i Komisionit të Venecias (2013-tani).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin