MENU
klinika

“Përgjimin për 21 Janarin e kam ende unë”

Artan Hoxha: Çështja po lihet në Prokurorinë e Tiranës për të mos u hetuar

27.11.2023 - 23:25

Gazetari, Artan Hoxha publikoi mëse një vit më parë një audio të drejtuesve të gardës së Repubikës në 21 janar 2011, koha kur ndodhi vrasja e 4 shtetasve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u plagosën 13 të tjerë.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha deklaroi se edhe sot e kësaj dite atë audio ku jepen urdhrat për të qëlluar mbi turmën e ka ende ai dhe askush nuk e ka kërkuar.

Sipas tij, kjo çështje është lënë qëllimisht në Prokurorinë e Tiranës për të mos u hetuar, ndërsa vetëm SPAk mund të vendosë drejtësinë, duke thirrur për të dëshmuar ish-drejtuesit më të lartë të shtetit 12 vite më parë, kur ndodhi kjo ngjarje e rëndë.

“Çështja e 21 janarit nuk ka nevojë të rihapet, sepse është e hapur dhe nuk ëhtë mbyllur kurrë. Është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Ajo ka çuar për ekspertim predhën që u gjet në kokën e të ndjerit Aleks Nika. Ajo është lënë qëllimisht në këtë prokurori, ndërkohë kur në të janë përfshirë drejtuesit më të lartë të shtetit, kryeministri, ministri i Brendshëm, drejtori i Gardës, shefi i gardës që kanë qëlluar dhe kanë marrë jetë njerëzish.

Çështja është e rihapur, kemi dy të vrarë, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën dhe 13 të plagosur, me të cilëve edhe kolegun Fatos Mahmutaj dhe ajo nuk mund të mbyllet.

Një vit më parë nxorra një audio që mund të shërbejë si indicie. Deri tani na ishte thënë se vrasjet nuk ishin bërë me urdhra. Ne gjetëm materialin që tregon se vrasjet janë bërë me urdhër dhe urdhri është dhënë nga zinxhiri komandues. Kur ndodhi 21 janari, kryeministria fshiu serverin, pra që të fshinte urdhrin, komunikimin e drejtuesve të Gardës. Ne gjetëm se si ka funksionuar Garda, si janë instruktuar, kush e ka dhënë urdhrin. Në regjistrim del komandanti i Gardës që jep urdhrin dhe hapet zjarri.

Çështjen në Strasburg nuk e çoi kryeministri që del e mburret, por familja e Aleks Nikës. Qeveria ka që në vitin 2013 që betohet dhe stërbetohet.

Provën që nxorrëm atëherë prokuroria ende nuk e ka në dispozicion, e kam unë ende, sepse pas saj një padi u bë nga PS-ja në SPAK, një nga qeveria në SPAK, ndërkohë që çështja është e hapur në prokurorinë e Tiranës. Familjarët e Aleks Nikës kërkojnë që çështjen ta hetojë SPAK-u, vetëm ai mund ta thërrasë Sali Berishën për të dhënë deklarime, vetëm ai mund ta thërrasë Lulzim Bashën si ish-ministër i Brendshëm, Bamir Topin si ish-president, Ina Ramën si ish-prokurore e Përgjithshme. Por ata ia lënë prokurorisë së Tiranës. Nëse duam drejtësi për 21 janarin atë çështje duhet ta marrë SPAK-u dhe këtë mund të bëjë vetëm Altin Dumani që e ka mbrojtur në Apel”, tha Hoxha.