MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Barnat biologjike, zgjidhja për sëmundjet reumatizmale?!

13.11.2023 - 10:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Barnat biologjike, zgjidhja për sëmundjet reumatizmale?!

Mjeku: Sëmundjet reumatizmale, për nga larmia e tyre dhe për kontigjentin e madh të pacientëve që përfshijnë, kanë bërë që reumatologjia të jetë një ndër disiplinat më të aplikuara të kohës. Sigurisht çdo patologji reumatizmale ka rëndësinë e saj, por, duke pasur parasysh faktin që grupi i sëmundjeve autoimmune e prek ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit dhe pse jo edhe jetëgjatësinë, jemi ndalur tek trajtimi i këtyre të fundit.

Disa prej sëmundjeve autoimmune kryesore janë: artriti reumatoid, morbus bechteriev, sklerodermia sistemike, lupusi eritematoz sistemik, vaskulitet etj. Skema të ndryshme mjekimesh janë përdorur për vite me radhë për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Prej afërsisht dy dekadash, terapia me barna biologjike ka sjellë evolucion në trajtimin e këtyre patologjive.

Megjithëse këto barna kanë 17 vjet që aplikohen në botë, tek ne njihen shumë pak, për shkaqe sigurisht objektive të politikave ekonomike shëndetësore.

Ergeta Ktona, mjeke reumatologe pranë këtij spitali, flet më tepër lidhur me këtë risi, duke treguar dhe ndryshimin nga barnat e zakonshëm, në çfarë kontigjenti sëmundjesh këshillohet të përdoren, si dhe arsyet pse njihen kaq pak.

Çfarë do të kuptojmë me barna biologjik?

Barnat biologjike janë proteina të dizenjuara në mënyrë specifike për të penguar komponente specifike të sistemit imunitar, që luajnë rol të rëndësishëm në nxitjen e inflamacionit, i cili është element kryesor i artritit reumatoid, më i shpeshti ndër sëmundjet e sipërpërmendura. Këto preparate ndryshojnë shumë nga barnat e tjera tradicionale, pasi niveli i veprimit të tyre mbi sistemin imun është shumë specifik, ato ndikojnë në hallkën e dëmtuar ndryshe nga imunosupresorët e tjerë, të cilët veprojnë mbi sistemin imun në tërësi. Barnat biologjike frenojnë progresionin e sëmundjes si dhe parandalojnë invaliditetin e pacientëve.

Cili është ndryshimi mes barnave biologjik dhe atyre të zakonshëm?

Tendenca e barit biologjik është që ato ndryshime që ndodhin në qelizë në një moment të caktuar t’i frenojë absolutisht duke bërë modifikim të elementeve të sistemit imunitar të cilët janë përgjegjës për sëmundjen. Përdorimi i barnave biologjike kërkon një periudhë më të shkurtër të marrjes së efekteve nga pacienti, ndërkohë që imunosupresorët tradicional kërkojnë një periudhë disamujore për të parë nëse është përzgjedhje e duhur për pacientin.

Në cilat sëmundje reumatizmale këshillohet të përdoren?

Barnat biologjik përdoren kryesisht në sëmundjet autoimmune të cilat i përmendem edhe pak më sipër, si artriti reuamtoid, artriti psoriatic, spondiliti ankilozant, lupusin eritematoz sistemik, sklerodermia sistemike, vaskulitet, polimiozitet etj. Disa nga efektet e këtyre preparateve shihen që në javën e 6 të aplikimit, ndërsa disa të tjerë kërkojnë një kohë më të gjatë për të marrë benefite, ndërkohë janë produkte që duhet të përdoren për më shumë se dy vite.

Sa zgjat terapia me barna biologjike, a ka një ndryshim nga barnat e zakonshëm?

Terapia me barna biologjike, nëse fillohet duhet të vazhdojë të paktën për një periudhë dyvjeçare. Megjithatë kjo varet edhe nga lloji i patologjisë, stadi i sëmundjes, kostoja dhe koha që individi ka në dispozicion. Mënyra e marrjes së këtyre preparateve është e ndryshme, ka prej tyre që mund të ofrohen një herë në javë, një herë në dy javë, një herë në muaj, pra ka cikle. Përzgjedhja e barit është shumë individuale në varësi të sëmundjes, aktivitetit të saj, moshës, kushteve ekonomike etj, por që sigurisht ne si mjek rekomandojmë që kura të vazhdohet derisa pacienti të konceptohet klinikisht dhe biologjikisht në remision.

Sa e njohin pacientët këtë lloj trajtimi?

Duke qenë se janë produkte ‘’risi’’ në Shqipëri, jo të gjithë e kanë informacionin se ekziston dhe ky kontigjent preparatësh. Sigurisht, me të marrë informacionin që përtej barnave rutinë që janë përdorur ndër vite, ekzistojnë edhe terapi të tilla, sigurisht që interesi është shumë i madh pasi, nëse bëhet zgjedhja e duhur e preparatit, dhe përfitimet prej tij janë shumë të mira.

A është një trajtim i kushtueshëm?

Në fakt, kur bëhet fjalë për shëndetin, në gjykimin tim por jo vetëm, çdolloj kostoje është e justifikueshme.

Nëse do të krahasonim koston e këtyre preparateve, me koston që ne shpenzojmë për gjëra të tjera, që nuk është se na e përmirësojnë shumë cilësinë e jetesës, sigurisht që ja vlen. Kanë një farë kostoje, por që është e përballueshme, gjithashtu e krahasuar me koston e preparative jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe shëndetësore, mendoj që cilësia justifikon koston.

A ka një kontigjent pacientësh ku nuk rekomandohet të aplikohen?

Para se ne ta fusim një pacient në skemën e barnave biologjik, dhe para se të marrim konsensusin e tij për t’ju nënshtruar kësaj terapie, ne sigurisht realizojmë disa ekzaminime paraprake për të parë nëse është apo jo një pacient i përshtatshëm.

Kontigjenti i atyre pacientëve që nuk rekomandohet t’i nënshtrohet kësaj terapie është shumë i vogël dhe këtu bëjnë pjesë: ata që kanë kaluar turbekulozin, pacientët me HIVAIDS, pacientët me sëmundje malinje ose të mëlçisë dhe pacientët me hepatit B ose C. Nëse nga ekzaminimet që ne kryejmë rezulton se pacienti ka kaluar ose ka prezente një nga këto sëmundje, ne nuk e aplikojmë.

Pse njihen kaq pak në vendin tonë?

Politikat shëndetësore, për arsye sigurisht objektive, edhe pse në vende të tjera ka më shumë se 17 vite që aplikohen, kanë bërë që tek ne, edhe pse njohuritë në lidhje me to janë të shumta, të përdoren pak krahasuar me vendet e tjera. Një pjesë e vogël e barnave biologjike tek ne janë të rimbursueshme.

Një këshillë për pacientet në përdorimin e këtyre barnave?

Të gjithë ato pacientë që vuajnë nga sëmundje autoimune dhe kanë mundësi të bëjnë përzgjedhje ndërmjet barnave apo preparative të tjera frenuese të sistemit imunitar, të vlerësojnë këtë arritje të madhe të teknologjisë farmaceutike dhe të bëhen pjesë e skemave të barnave biologjike, sigurisht në të gjitha rastet kur plotësohen kriteret për të qenë pjesë e këtyre skemave.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.