MENU
klinika

Të hënën diskutohet buxheti

Berisha paralajmëron kaos në seancë: Do të zhvillojmë qëndresën më të fuqishme

17.11.2023 - 19:32

Kuvendi ka vendosur që debati për buxhetin e ri të diskutohet ditën e hënë. Çdo vit, kjo është cilësuar si seanca më e rëndësishme, e cila ka zgjatur me dhjetra orë, ku secili deputet ka marrë fjalën për të shprehur mendimin e tij.

Por ndryshe nga vitet e kaluara, duket se këtë herë buxheti mund të kalojë pa diskutim fare. Të paktën kjo është paralajmëruar nga opozita, e cila ka bërë të qartë se të hënë do të përshkallëzojë aksionin e saj në sallën e Parlamentit.

Pas një takimi që pati mes deputetëve, Sali Berisha doli në një konferencë për mediat dhe paralajmëroi tensione në seancë, duke mos u tërhequr nga skenari bllokues as për buxhetin.

“Deputetët e opozitës në emër të popullit opozitar dhe qytetarët që besojnë te vlerat e demokracisë, që konsiderojnë pluralizmin mjetin kryesor të saj, që besojnë që pushtetarët duhet të hetohen nga komisionet parlamentare me transparencë, do pasqyrohet e gjithë veprimtaria, një nen me një rëndësi kapitale duhet të respektohet.

Ligjet, rezolutat amendamentet e opozitës duhet të përcillen në përputhje me procedurën parlamentare.

Këto janë kërkesat me themelore, për të cilat deputetët janë të vendosur në këtë betejë pa kthim deri në fitore.

E rëndësishme është që shqiptarët do shohin ditën e hënë qëndresën e fuqishme të opozitës në parlament. Kjo është një betejë pa kthim”, tha ndër të tjera Berisha.