Serbia hyn në zgjedhje jo me shpresë se do t’iu përshtatet politikisht Evropës dhe SHBA-së, por që zgjedhjet në BE dhe SHBA të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë
Nga Veton Surroi
1.
Si do të jetë jeta në Kosovë a në Ballkanin Perëndimor pas një viti? Ndoshta kështu mund të përgjithësohet pyetja e cila bëhet çdo ditë, prej kohësh, e kështu nja dyzet vjetët e kaluar, “a thua çka do të bëhet me Kosovën?”. Kam qenë gazetar i ri, i sapofilluar në punë e në mes të represionit ndaj Kosovës në Jugosllavinë socialiste, kur për herë të parë e dëgjova këtë dilemë kolektive. Dhe, tash, pas luftërave, protektoratit e administratave të ndryshme dhe zgjedhjeve, sërish ndjenja se gjërat nuk kanë arritur pikën e vet të rehatisë, të formuluara në të njëjtën pyetje dyzet vjet më pas.
Dhe, përgjigjja më e lehtë është ajo që anon kah një kujdes, qoftë edhe pak më i tepruar: kam frikë se as një vit më pas nuk do të mbërrijmë në pikën tej brengës për rehatinë kolektive. Pra, ka të ndodhur që edhe një vit më pas të jemi në gjendje të shtrojmë pyetjen : a thua çka do të bëhet me Kosovën?
Dhe, nëse shërben si ngushëllim, kjo pyetje nuk do të bëhet, sepse Kosova nuk është e përcaktuar për rehati (fjalë kod për mbyllje të konfliktit me Serbinë, sepse ky është burimi thelbësor i parehatisë), sepse në 2024 po hyjmë në një vit edhe më të ndërlikuar .
Për Kosovën viti përpara është ai i dy luftërave dhe i tri palë zgjedhjeve.
2.
Luftës në Ukrainë, që në shkurtin e vitit të ardhshëm do të fillojë vitin e tretë, i është bashkëngjitur lufta në Gaza. Që të dyja prodhojnë imazhe të përnatshme televizive të ndëshkimit e të shkatërrimit kolektiv, skena të llahtarit të Luftës së Dytë Botërore (e në Ukrainë madje edhe të së Parës) të përsëritura në shekullin XXI. Që të dyja luftërat , shikuar nga ftohtësia e interesit vetjak gjeopolitik të Kosovës, tërheqin energji të madhe të Perëndimit. Në këto luftëra përcaktohen vija të rëndësishme fërkimi mes Perëndimit dhe një pjese të madhe të botës tjetër, e cila është ende e padefinuar apo në definim e sipër. Fundi i luftës në Ukrainë mund të përcaktojë vijën e re ndarëse mes botës euroatlantike e asaj euroaziatike, këtej do të jetë Ukraina euroatlantike, andej Rusia euroaziatike. Fundi i luftës në Gaza, ndërkaq, me edhe disa mijëra të vrarë, shtuar atyre 12 mijë deri tani (palestinezë e izraelitë, kryesisht civilë), është ende e paqartë se çka mund të prodhojë. Njëri prej rezultateve është të krijojë një statu quo të re mes palestinezëve edhe më të shtypur dhe Izraelit edhe më të pasigurt si forcë që do të përdorë shtypje edhe më të rëndë, një lloj qarku vicioz.
Rezultati tjetër eventual, ndonëse me gjasa të vogla, mund të jetë kthesa historike e ndërtimit (me operacion shumëkombësh) të shtetit palestinez si çështje paqeje, sigurie për Izraelin, por edhe e një arkitekture të re që e sheh Lindjen e Mesme si një alo e natyrshme ekonomike, politike dhe e sigurisë e botës euroatlantike. Një botë euroatlantike, natyrisht, që e sheh se si boshti historik i gjeopolitikës po zhvendoset në Lindje.
3.
Pra, dy luftërat në Lindje do të duhej ta forconin natyrshëm Kosovën në shtratin e vet euroatlantik, aty ku e ka vendin apo jo? Do të duhej, por jo domosdoshmërisht. Fundi i luftës në Ukrainë shikohet në Moskë e në Beograd me një lloj ndërlidhjeje, me vizatimin e hartave të reja mes shteteve në baza etnike: nëse mund të shkëputen viset “ruse” të Ukrainës, përse nuk munden ato “serbe” të ish-Jugosllavisë? Fundi i luftës në Gaza mund të jetë fillimi i një ndërhyrjeje ambicioze botërore për të gjetur paqen e qëndrueshme dhe shtetësinë e një Palestine që jeton në paqe me Izraelin, një ndërmarrje kolosale që do të kërkojë dhjetëvjetësh investimesh në diplomaci, ushtri e kapital. Që të dy luftërat e konsumojnë sot “oksigjenin” diplomatik.
Sot për sot, Kosova është pjesë e konflikteve të papërfunduara të ish-Jugosllavisë, potencialisht replikim në miniaturë i vijës së fërkimit mes botës euroatlantike dhe asaj euroaziatike në këtë pjesë ende traumatike të Evropës, të quajtur Ballkani Perëndimor. Por, në kontekstin Ukrainë-Gazë, ky është një problem minor, pra edhe do të duhej të dukej i zgjidhshëm nga vetë palët. Dhe, pika kthesë prej konfliktit të papërfunduar në bashkëpunim do të duhej të ishte marrëveshja e normalizimit Kosovë-Serbi, dhe kjo planifikohej të arrihej (në Washington e në kryeqytete evropiane) në fund të vitit 2023. Ky afat nuk do të arrihet dhe tashmë marrëveshja Kosovë-Serbi, pos ndikimit nga dy luftërat do të matet në kontekstin e tri palë zgjedhjeve: në Serbi më 17 dhjetor të këtij viti, në Bashkim Evropian në maj të vitit të ardhshëm, dhe në SHBA në nëntor 2024.
4.
Zgjedhjet e Serbisë më 17 dhjetor kanë gjasa të mëdha të vazhdojnë për katër vjet pushtetin e pakontestuar të presidentit Vuçiq. Dhe këto zgjedhje mund të riprodhojnë një cikël disamuajsh (prej tre në gjashtë) deri në formimin e qeverisë së re. Mund të pritet, pra, që të mos ketë lëvizje më të rëndësishme në normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë deri në pranverë të vitit të ardhshëm, deri në formim të qeverisë së re të Serbisë.
Dhe, pastaj mund të krijojnë një gjendje ku Serbia bëhet spektator i dy zgjedhjeve të tjera, të BE-së dhe SHBA-së.
Në këtë rol spektatori Serbia do të vëzhgojë me vëmendje dy zhvillime që janë të afërta me të. Në zgjedhjet evropiane, çështja për të vëzhguar është se sa forcohet rryma antiliberale, prej partisë së Orbanit deri te AfD në Gjermani. Nga perspektiva e Serbisë, zgjedhjet në Evropë nuk do të jenë se sa do t’i afrohet Serbia politikisht Evropës, por sa do të afrohet Evropa politikisht pozicionit që e mban Serbia sot.
Dhe, pas këtij testi të parë, duhet të vijë i dyti , që mund të jetë edhe një lloj satisfaksioni personal për presidentin Vuçiq. Presidenti Trump ishte i pari president amerikan që legjitimoi politikën e presidentit të Serbisë dhe shkuarja e tij u konsiderua si humbje në Beograd. Zgjedhjet presidenciale në Amerikë do të kenë si një prej pikave bosht të fushatës politike kthimin e Trumpit, nëse jo si person (nga mungesa e votave apo ndëshkimi ligjor), atëherë si politikë ndaj së cilës edhe një fitore eventuale e demokratëve duhet të gjejë forma adaptimi.
5.
Kjo duket të jetë korniza e madhe e dymbëdhjetë muajve të ardhshëm për Kosovën, e mbase edhe për një pjesë të madhe të Ballkanit Perëndimor. Nëse ndërkohë dalin lajme më të mira, është pse dikush diku ka treguar lidership dhe ka vendosur që gjërat të mos jenë kështu siç po vizatohen sot.