Ministria e Kulturës ka zhvilluar një konsultim publik me palët e interesit mbi disa ndryshime të propozuara në Ligjin për Librin në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë takim ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Piro Misha, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, botues, autorë, përkthyes etj.
Ministrja ka theksuar se ndryshimet e propozuara kanë ardhur pas shumë konsultimesh dhe nga kërkesat e vazhdueshme për të rregulluar me ligj disa aspekte lidhur me funksionimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit duke specifikuar të drejtat dhe detyrimet e këtij institucioni.
Ndryshimet ligjore marrin në konsideratë pasurimin e bibliotekave publike duke nënvizuar që fondet e përvitshme dedikuar blerjes së titujve të rinj, në buxhetet e institucioneve të pushtetit vendor të mos tjetërsohen, por të përdoren vetëm për këtë qëllim.
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe menaxhimi i kopjeve të detyrueshme të titujve të rinj që dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare. Përmes këtij propozimi nga 5 kopje që entet botuese dorëzojnë, 2 shpërndahen në biblioteka publike.
Gjithashtu, do të reflektohet përmbushja e kërkesave të një kategorie lexuesish me aftësi ndryshe, çka përputhet dhe me qasjen me standardet e Bashkimit Europian.