MENU
klinika

Përgjimet e SKY

Gjykata e Posaçme cakton masën “arrest me burg” për të kërkuarin Artan Sulejmani

24.11.2023 - 18:33

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Artan Sulejmanin, i cili del në përgjimet e SkyECC, si pjesë e grupit të trafikut të drogës ku ishte i përfshirë dhe ish-zyrtari i lartë i policisë, Erzen Breçani.

Sulejmani është person në kërkim dhe rezulton të jetë bashkëpunëtor i Ismail Zenelit.

Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontejner.

Njoftimi i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 24.11.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Caktimin ndaj personit nën hetim A. S. (D.E.M.) të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, akuzuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale.

Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenin 298/1-28-4, 333/a/1 dhe 334/1 të K. Penal, me vendimin Nr. 131 Akti, datë 24.11.2023, ndër të tjera vendosi:

Pranimin e kërkesës.

Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg” të dhënë ndaj të pandehurit A.S. (D.E.M.) me vendimin Nr.2, datë 09.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhdimin e zbatimit të kësaj mase.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ndjekjen edhe zbatimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.