MENU
klinika

Lirimi i pengjeve

Hamasi dhe Izraeli tjetër marrëveshje, armëpushimi zgjatet me dy ditë

27.11.2023 - 18:35

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit ka konfirmuar se armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit tani është zgjatur me dy ditë.

“Shteti i Katarit njofton, si pjesë e ndërmjetësimit në vazhdim, se është arritur një marrëveshje për të zgjatur armëpushimin humanitar për dy ditë të tjera në Rripin e Gazës,” tha Dr Majed al Ansari.

Hamasi gjithashtu ka konfirmuar armëpushimin, por ende nukka një koment nga ana izraelite.

“Lëvizja e Rezistencës Islamike Hamas njofton se është rënë dakord me vëllezërit në Katar dhe Egjipt për të zgjatur armëpushimin e përkohshëm humanitar për dy ditë të tjera nën të njëjtat kushte si armëpushimi i mëparshëm”, thuhet në një deklaratë të Hamasit.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Katari e mbështetur nga Egjipti dhe SHBA, e cila hyri në fuqi të premten, bëri thirrje për një armëpushim katër-ditor që përfshinte shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe lirimin e 50 prej më shumë se 200 pengjeve të mbajtura në enklavën palestineze, në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur.

Hamasi ishte i pari që kërkoi të zgjatej armëpushimin 4 ditor me Izraelin, që shënoi lirimin e dhjetëra të rinjve dhe grave palestineze që mbaheshin në burgjet izraelite. Grupi i militantëve në një deklaratë tha se një marrëveshje e tillë realizohet vetëm nëse Izraeli angazhohet të lirojë më shumë palestinezë.

Edhe kryeministri izraelit Netanyahu pranoi më parë se ishte dakord që armëpushimi të zgjatej nëse çdo ditë lirohen nga 10 pengje. Por lideri izraelit nuk heq dorë nga objektivat e tij për të shkatërruar Hamasin në çdo qelizë të tij. /Sky News