MENU
klinika

Zgjedhjet në Serbi

Ilir Kulla: Nëse fiton krahu pro rus, gjasat për një luftë në Ballkan janë të larta!

17.11.2023 - 22:09

Pak ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ka informacione të mjaftueshme se Moska do të krijojë konflikte të reja në Ballkan për të larguar vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë. Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla e lidhi rrezikun e shpërthimit të një lufte në Ballkan me zgjedhjet në Serbi.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, eksperti theksoi se nëse në zgjedhjet që pritet të mbahen në dhjetor në Serbi, do të fitojë krahu pro rus, atëherë ‘gjasat që të kemi një luftë në Ballkan, ose më mirë disa luftëra njëherësh janë të larta’.

“Situata konkrete karakterizohet nga zgjedhjet e parakohshme në Serbi. Ndryshe nga herët e tjera, situata tani në Serbi është ngarkuar nga ata që janë haptasi pro rus dhe nga ata që nuk janë haptazi pro rus dhe nga ata që janë haptazi pro perëndimor. Zgjedhjet e tanishme në Serbi do të jenë edhe një palë zgjedhje, pra populli serb është me Rusinë apo kundra saj. Nëse konfirmohet axhenda politike e Rusisë në Serbi, atëherë gjasat që të kemi një luftë në Ballkan, ose më mirë disa luftëra njëherësh janë të larta. Eliminimi politik i Vulin, largimi nga shërbimi sekret që lidhet me futjen në listën e zezë të SHBA dhe ngjarjet në Kosovë, me atë që pata thënë në fillim fare se këtu është Serbia drejtpërdrejt dhe jo organizatat e serbëve të Kosovës tregon se ka një betejë të madhe politike në Beograd për kush është krahu pro rus apo anti rus. Duke pasur parasysh se nuk është vetëm Vulin pro rus por edhe kryetari i parlamentit Daçiç, që vjen nga partia e Millosheviç, do të shikohet se çfarë roli do të ketë edhe partia e Sheshelit, do të shohim nëse fiton ky krah, atëherë autoriteti i Rusisë mbi Serbinë do të rritet dhe një Serbi, e cila është një potencial shumë i fortë ushtarak, mendoj se rreziku potencial i një Serbie që mund të bëjë luftë kalon në nivelin e kërcënimit real“, u shpreh Kulla.