Kalaja e Rozafës, atraksioni kryesor turistik në qytetin e Shkodrës, ka regjistruar një numër të lartë vizitorësh edhe përgjatë muajit tetor.
Vizitueshmëria ka qenë më e lartë, krahasuar me një vit më parë, duke llogaritur 3896 vizitorë më shumë se në tetorin e vitit 2022. Sipas shifrave të bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Rozafati në tetorin e 2023-shit, u vizitua nga 11679 persona.
Në tetorin e vitit 2022, kalaja u vizitua nga 7783 turistë vendas e të huaj.
Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti, duke ju rezistuar shekujve.
Kalaja e Rozafës ka disa oborre. Muzeu është vendosur në oborrin e tretë, saktësisht në godinën veneciane të njohur me emrin “Kapitaneria”.