Vizita e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në samitin e OSBE që do të mbahet nesër në Shkup ka shkaktuar shumë polemika.
Pjesëmarrja e Lavrov, e para në një takim ndërkombëtar në Evropë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në fakt ka shtyrë Kievin dhe tre vendet baltike të njoftojnë se ministrat e tyre të jashtëm do ta bojkotojnë takimin.
“Delegacioni ukrainas nuk do të marrë pjesë në samitin ministror të OSBE-së”, tha Oleg Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Kiev, i cili akuzoi Rusinë se donte “të shfrytëzojë rastin për qëllime propagandistike dhe të minojë unitetin e “Perëndimit”.
Në të njëjtën linjë ishin edhe Estonia, Lituania dhe Letonia, duke u shprehur se Rusia ka një “qëndrim pengues” brenda OSBE-së “duke u përpjekur të bllokojë aktivitetet e saj dhe të parandalojë çdo aktivitet monitorues në Ukrainë. Sipas ministri të Jashtëm Estonez, Margus Tsahkna, prania e Lavrov “rrezikon legjitimimin e agresorit rus si një anëtar i ligjshëm i komunitetit tonë të kombeve të lira, duke i banalizuar krimet mizore që Rusia kryen në Ukrainë”. Tsahkna u kërkoi gjithashtu vendeve të tjera anëtare të OSBE-së “të mos pranojnë shantazhin e Moskës”, duke kujtuar gjithashtu se tre përfaqësues ukrainas të OSBE-së janë mbajtur në burgjet ruse për mbi 500 ditë.
Pjesëmarrja e Lavrov në samitin në Maqedoninë e Veriut është në fakt rezultat i një manovre shumë të zgjuar nga diplomacia ruse, e cila shfrytëzoi rregullin e konsensusit në fuqi në OSBE për të paralizuar funksionimin e saj të brendshëm. Moska fillimisht vuri veton ndaj kandidaturës së Estonisë për presidencë në 2024, më pas ra dakord me atë të Maltës, por refuzoi ta votonte në nivel ambasadori, duke këmbëngulur që ministrat duhet të vendosin. Kjo e bëri të pashmangshme praninë e Lavrov.
Ndryshe nga Polonia, e cila vuri veton ndaj pjesëmarrjes së përfaqësueses së Moskës vitin e kaluar kur kishte presidencën, autoritetet në Shkup dhanë miratimin e tyre. Por për të mbërritur në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Lavrov duhej të merrte gjithashtu lejen e Bullgarisë për të fluturuar mbi hapësirën e saj ajrore, duke bërë një përjashtim nga ndalimi evropian.
Në samitin e Shkupit do të marrë pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por ai nuk do të takohet me ministrin rus . Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, me praninë e tij Blinken dëshiron të shprehë solidaritetin me mysafirët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe anëtarët e OSBE.
Nga ana e saj, Moska ka nisur me propagandën. “Të gjithë më pyesin, të gjithë më duan”, kështu tha Sergei Lavrov, i cili do të mbërrijë që sot në mbrëmje në Shkup.
“Mund të konfirmoj se kemi shumë kërkesa për takime dypalëshe”, thotë zëdhënësja e tij, Maria Zakharova.