Prodhimi i ullirit në Mallakastër këtë vit ka rënë ndjeshëm.
Kjo ka sjellë dhe reduktim të punës në fabrikat e vajit të cilat tashmë nuk po punojnë me kohë të plotë.
“Sivjet është problemi që prodhimi është shumë i dobët. Kemi rreth 20-30% të prodhimit të vjetshëm, kjo për shkak edhe të kushteve atmosferike të këtij vitit. Vitin e kaluar edhe nuk u shërbye ulliri për shkak të zhgënjimit që fermerët kishin pësuar nga tregu i vajit të ullirit”, tregon fermeri.
“Sivjet po punojmë më pak për shkak se nuk ka ullinj”, tha një tjetër fermer.
Kushtet e pafavorshme të motit por dhe kostot e larta të plehrave kimikë, janë dy nga arsyet që kanë detyruar fermerët e kësaj zone që të lënë pas dore parcelat me ullinj.
“Prodhim nuk ka fare punëtorë s’ka fare. Sivjet kam bërë vetëm 20 kile vaj”, tregon fermeri.
Prodhimi i pakët i ullirit këtë vit ka rritur ndjeshëm çmimin e vajit. Por pavarësisht kësaj rritje, fermerët kërkojnë më shumë mbështetje. Pasi krahas kostove të kimikateve po përballen dhe me mungesë të fuqisë punëtore.
Këtë vit një litër vaji ulliri shitet nga 700 deri në 800 lekë, ndërkohë një vit më parë çmimi varionte nga 400 në 500 lekë.