Rusia dhe Kina kanë bashkuar forcat, për të disatën herë. Tani bëhet fjalë për një projekt monstruoz, i cili hap rrugën për dy hipoteza: lufta midis Ukrainës dhe Rusisë është gati të përfundojë, ose do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Në çdo rast, Moska duket se synon të marrë masa paraprake, duke ngritur një tunel futuristik nënujor që lidh kontinentin e saj me Krimenë. Ky është plani i supozuar që liderët e lartë rusë dhe kinezë po mendojnë për të krijuar një alternativë ndaj urës ekzistuese të Kerçit, e cila është bërë e pasigurt për shkak të shpërthimeve misterioze që e kanë goditur atë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë. Objektivi i Moskës do të ishte krijimi i një rruge të dytë transporti të mbrojtur nga çdo sulm i jashtëm, sipas komunikimeve të përgjuara nga shërbimet e sigurisë ukrainase.Një plan që do të marrë vite dhe mbi të gjitha miliarda, dhe që duhet të bazohet me ndihmën e menaxherëve dhe kompanive kineze. Kjo është raportuar nga media amerikane“Washington Post”, e plotësuar me email dhe dokumente konfidenciale që dëshmojnë se si negociatat janë duke u zhvilluar dhe duke u konkretizuar.
Tuneli nënujor
Sipas asaj që u raportua nga “Washington Post”, bisedimet u nxitën nga shqetësimet në rritje të Kremlinit në lidhje me sigurinë e urës, një linjë logjistike kyçe për ushtrinë ruse, por një objektiv tepër i prekshëm. Dëshmitë e përfshirjes hipotetike të kompanive kineze duket se gjenden në disa emaile të përgjuara nga shërbimet sekrete të Kievit. Me sa duket, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Kinë ka sinjalizuar gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në projekt. Vladimir Kalyuzhny, një biznesmen rus i identifikuar në dokumente si drejtori i përgjithshëm i një konsorciumi ruso-kinez, e mohoi planin, përpara se të deklaronte se ai nuk do të jepte asnjë informacion për “mediat armike”. Në një mesazh dërguar muajin e kaluar një zyrtari rus, vetë Kalyuzhny tha se kishte marrë “një letër nga partnerët kinezë në lidhje me disponueshmërinë e një prej kompanive më të mëdha kineze për të marrë pjesë si kontraktor i përgjithshëm në ndërtimin e një tuneli nën ngushticën të Kerçit”. Email-i dyshohet se i është drejtuar Georgiy Muradov, i listuar si përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Krimesë te presidenti rus Vladimir Putin, dhe më parë ambasadori i Rusisë në Qipro.
Roli i Kinës
Një email i datës 4 tetor do të përshkruante Korporatën Kineze të Ndërtimit të Hekurudhave (CRCC) si “të gatshme për të siguruar ndërtimin e projekteve hekurudhore dhe rrugore të çdo kompleksiteti në rajonin e Krimesë”. CRCC, një kompani kineze shtetërore që ka ndërtuar disa nga rrjetet më të mëdha rrugore dhe hekurudhore në Kinë, ka forcuar lidhjet me Rusinë në vitet e fundit përmes projekteve të ndryshme, duke përfshirë zgjerimin e sistemit të metrosë së Moskës. Emaile të tjera do të zbulonin përpjekjet kineze për të ruajtur sekretin e përfshirjes së tyre fantazmë. Në një mesazh theksohej se CRCC do të pranonte të merrte pjesë vetëm me një “klauzolë të rreptë konfidencialiteti” dhe vetëm nëse emri i kompanisë do të zëvendësohej me një person tjetër juridik, i palidhur në të gjitha kontratat. Më pas i referohet një banke kineze e gatshme të shndërrojë fondet e saj në dollarë në rubla për t’i transferuar ato në Krime.
Përfitimet
Duke pasur parasysh rreziqet që lidhen me sanksionet dhe sabotazhin, zyrtarët dhe ekspertët amerikanë kanë shprehur habi për rrezikun e përfshirjes së CRCC. Në çdo rast, ndërtimi i një tuneli nën ngushticën e Kerçit është teknikisht i realizueshëm dhe Kina do të kishte aftësitë dhe pajisjet e nevojshme për të përfunduar punën. Megjithatë, kjo do të ishte një sipërmarrje e madhe, e krahasueshme për nga madhësia me një tunel midis Danimarkës dhe Gjermanisë (në zhvillim prej vitesh dhe që kushton disa miliardë euro). Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që tuneli i Kerçit të përfundojë në kohë për të ndihmuar Rusinë në përpjekjet e saj të luftës, por Moska mund ta shohë atë si një investim afatgjatë. Nga ana tjetër, Kina ka të ngjarë të këmbëngulë për të paktën pronësinë e pjesshme të tunelit.