Qeni i presidentes moldave, Maia Sandu, ka përmbysur protokollin duke kafshuar në dorë presidentin austriak, Alexander Van der Bellen. Incidenti ndodhi të enjten kur dy liderët po shëtisnin në oborrin e rezidencës presidenciale të Moldavisë në kryeqytetin Chişinău dhe Van der Bellen u përpoq të përkëdhelte qenin, raportojnë mediat moldave.
Sandu kërkoi falje në anglisht dhe tha se qeni, një ‘shpëtimtar’ i quajtur Codrut, që do të thotë pyll i vogël, ishte frikësuar nga numri i madh i njerëzve aty pranë. Në takimin e radhës të Van der Bellen, me kryetarin e parlamentit të Moldavisë, presidenti austriak u shfaq me dorën e fashuar.
Në një video të postuar në Instagram të premten, Van der Bellen simpatizoi qenin. “Të gjithë ata që më njohin e dinë që unë jam një dashurues i madh i qenve dhe mund ta kuptojnë entuziazmin e tij,” shkroi ai, duke shtuar se takimi i tij me Sandu dhe zyrtarë të tjerë kishte qenë “shumë i mirë”. Van der Bellen tha se i kishte dhënë qenit një lodër të vogël në ditën e fundit të vizitës së tij.
Bisedimet në Kishinau, ku morën pjesë Van der Bellen dhe presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, u fokusuan në ofertën e Moldavisë për t’u anëtarësuar në BE. Vendi shtrihet midis Ukrainës dhe Rumanisë. Sandu, e cila shpëtoi qenin pasi u godit nga një makinë, postoi foto në rrjetet sociale të kafshës së saj me dy presidentët.