Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vendosur të garojë në zgjedhjet presidenciale të marsit, një vendim i cili do ta mbajë atë në pushtet së paku deri më 2030, pasi ai ndien se i duhet ta udhëheqë Rusinë në periudhën më të rrezikshme në dekadat e fundit, thanë gjashtë burime për agjencinë e lajmeve Reuters.
Putin, i cilit ia dorëzoi presidencën Boris Yeltsin në ditët e fundit të vitit 1999, ka shërbyer si president më gjatë se çdo udhëheqës tjetër rus prej Josef Stalinit, madje duke e mposhtur edhe sundimin 18-vjeçar të Leonid Brezhnevin.
Putini i mbushi 71 vjet më 7 tetor.Burimet, që folën në kushte anonime për shkak të ndjeshmërisë së politikave të Kremlinit, thanë se këshilltarët po përgatiten për fushatën zgjedhore të Putinit.
“Vendimi është marrë – ai do të garojë”, tha një prej burimeve, i cili e ka parë planin.
Për Putinin, i cili gëzon një mbështetje prej rreth 80 për qind brenda Rusisë sipas sondazheve, zgjedhjet janë formalitet nëse ai merr pjesë: me mbështetjen e shtetit, mediave shtetërore dhe pothuajse pa disidencë publike, ai e ka të sigurt fitoren.
Një burim tjetër konfirmoi se vendimi është marrë dhe se këshilltarët e Putinit po përgatiten për pjesëmarrjen e tij në zgjedhje. Të njëjtin konfirmim e dhanë edhe tri burime të tjera: Putini do të garojë.
Derisa shumë diplomatë, spiunë dhe zyrtarë të huaj thonë se presin që Putini të qëndrojë në pushtet përjetë, deri më tani nuk ka pasur konfirmim specifik se ai do të garojë në zgjedhjet presidenciale të marsit 2024.
Rusia në luftë
Derisa Putini mund të mos përballet me garë në zgjedhje, ish-spiuni i Shërbimit Sekret Rus (KGB) përballet me sfidat më të mëdha që është përballur ndonjë lider i Kremlinit prej kur Mikhail Gorbachev u ballafaqua me rënien e Bashkimit Sovjetik para më shumë se tri dekadave.
Lufta në Ukrainë e ka nxitur konfrontimin më të madh me Perëndimin prej se ndodhi Kriza e Raketave Kubane më 1992; sanksionet e Perëndimit e kanë shkaktuar tronditjen më të madhe të brendshme ndaj ekonomisë ruse në dekadat e fundit; dhe Putini është përballur me një kryengritje të dështuar nga mercenari më i fuqishëm i Rusisë, Yevgeny Prigozhin, në qershor.
Prigozhini u vra si pasojë e rrëzimit të avionit dy muaj pas kryengritjes.Perëndimi e paraqet Putinin si një kriminel lufte dhe diktator i cili e shndërroi Rusinë në vend imperialist dhe uzurpues të tokave, duke e dobësuar Rusinë dhe duke e forcuar shtetësisë e Ukrainës dhe në të njëjtën kohë, duke e bashkuar Perëndimin dhe duke i dhënë mision NATO-s.
Putini, megjithatë, e paraqet luftën si pjesë të një lufte më të gjerë me Shtetet e Bashkuara, për të cilat Kremlini thotë se synojnë ta ndajnë në dysh Rusinë./REL