MENU
klinika

Dëmtohen disa linja elektrike

Reshjet e dëborës shkaktojnë probleme në Rrugën e Kombit

25.11.2023 - 11:36

Edhe pse gjithnjë në lëvizje duke pastruar dëborën nga rruga, intensiteti i reshjeve, i cili kaloi shtresën e 10 apo 15 centimetrave krijoi mjaft problematika në Rrugën e Kombit në segmentin Fushë Dukagjin -Tuneli i Kalimashit. Pa vendosur zinxhirët dhe pajisjet dimërore, mjetet e transportit të rëndë, bllokuan korsitë e rrugës në ngjitje herë pas here, ndërsa shumë autovetura u detyruan të përdorin pajisje dimërore.

Përgjatë këtij segmenti që nuk i kalon 10 kilometra u angazhuan 6 mjete borë pastruese të kompanisë sipërmarrëse të Rrugës së Kombit, duke larguar dëborën nga rruga dhe kriposuar trasenë e saj. Policia rrugore që monitoron rrugën e Kombit u stacionua pranë Fushë Dukagjinit për të kontrolluar automjetet nëse kanë ose jo pajisje dimoërore, si dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar gjatë udhëtimit në kushte të tilla që u krijuan si pasojë e reshjeve të dëborës.

Pobleme u krijuan edhe në zona të tjera te qarkut të Kukësit, veçanërisht në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë e Fushë Arrësin, rrugët e bashkisë Tropojë e Has, kryesisht ato që shtrihen mbi lartësitë 500 metra të nivelit të detit. Shtabi i Emergjencave pranë prefektit të qarkut njoftoi se pavarësisht problematikave të krijuara, kompanitë sipërmarrëse për mirëmbajtje të rrugëve dhe shërbimet publike të bashkive janë në terren dhe po punojnë gjatë gjithë kohës për të evituar problemet.

Si pasojë e reshjeve që u shoqëruan me erë të fortë pas mesnate u dëmtuan disa linja elektrike, duke lënë pa energji njësitë administrative të Shishtavecit, Topojanit e e Zapodit në Kukës, Golaj e Gjonaj në bashkinë e Hasit si dhe njësitë administrative Tropojë e Vjetër e Bytyc në bashkinë Tropojë. Në terren janë edhe grupet e punës të OSHEE, të cilët po punojnë për riparimin e dekfeteve në ato zona ku mungon energjia elektrike ndërsa nuk raportohet për problematika apo mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët. Gjatë kësaj kohe nuk është raportuar edhe për emergjenca mjekësore që mund të ketë patur nevojë për ndërhyrje.